"Që Presidenti IM të jetë YNI" Flutura Açka tregon pse mori pjesë në ceremoninë e betimit të Presidentit Begaj
Deputetja demokrate Flutura Açka ka marrë pjesë në ceremoninë e inaugurimit të presidentit të ri të Republikës, Bajram Begaj, ceremoni e cila u bojkotua nga kryetari i PD-së Sali Berisha dhe një pjesë e deputetëve demokratë.
Duket se disa kolegë kanë kontaktuar për të mësuar arsyen pse të cilën e tregon përmes një reagimi në facebook.
”Që Presidenti IM të jetë YNI. Disa kolegë e miq më telefonuan të dinin arsyen e pjesëmarrjes sime në Inaugurimet e Presidentit të ri të Republikës, z. Bajram Begaj. Edhe ngaqë PD - lexo Foltorja - pakësh vendosur ta bojkotojë.
Edhe pse Presidenti Bajram Begaj u zgjodh si presidenti IM, ai është presidenti YNË. Dhe është rasti që t’i uroj mbarësi dhe t’i shpreh besimin se personaliteti i tij do ta ndihmojë të jetë president i të gjithë shqiptarëve.
Presidenti Begaj nuk është konsensual, por legjitim, dhe si dikush që njeh dhe respekton institucionet, është në nderin tim ta duartrokas inaugurimin e tij.
Do të kisha dashur që ai ta kishte edhe votën time, por çorba politike shqiptare, tash për tash, gatuhet në kazanin e ndotur të Edi Ramës."
Ndalet për të bërë dhe dy vërejtje kreut të ri të shtetit.
Dhe që të mos jetë vetëm i Edi Ramës, ndjej nevojë t’i bëj dy vërejtje, që Predidenti YNË të mbetet i tillë deri në fund të detyrës së tij: Në fjalën e tij të parë në Parlamenti, zoti Begaj iu drejtua mē parë ministrave e më pas deputetëve. Shqipëria është republikë parlamentare dhe ministrat japin llogari në Parlament.
Në fjalën e tij të parë si president në godinën e Presidencës, zoti Begaj iu drejtua Vjosa Osmanit, si zonja Osmani. Ishte dashur të thuhej e me gojën plot: E nderuara, zonja Vjosa Osmani, Presidente e Republikës së Kosovës.
Unë mendoj se këto janë shkujdesje të patëkeq, dhe nuk dua ta besoj - siç disa mëtojnë të më bindin - se janë fjalime të prodhuara nga Agjencia e Medias dhe Informimit (qeveritar).
Nga sot, Presidenti YNË duhet të këshillohet për fjalët e tij publike me njerëz që e duan Shqipërinë më shumë se partinë. BUrime të sinqerta, z. Begaj!
Dje më 24 korrik 2022 u mbajt ceremonia e betimit të presidentit të ri të vendit Bajram Begaj.

