S'do kthehet në krye të LSI-së, Meta thërret popullin e 2 marsit në "Partinë e Referendumit"

Ilir Meta nuk do të marrë drejtimin e LSI-së por duket se do të krijojë një forcë të re opozitarë e cila për momentin e quajtur si “Partia e referendumit” e cila përfshin një elektorat më të gjerë se vetë LSI-ja, atë të popullit që e mbështetën në protestën e 2 marsit. 

Në një prononcim për median pasi mori teserën e LSI-së, paraditen e sotme (25 korrik 2022) Meta tha se nuk ishte aty për të marrë drejtimin e LSI-së sepse atë e kishte lënë me vullnet të lirë.

Pyetje: Do të merrni sërish drejtimin e LSI-së apo do të krijoni një forcë të re politike për të dalë në opozitë?


Ilir Meta: Nuk jam këtu për të marrë drejtimin e LSI-së sepse unë këtë drejtim e lashë me vullnet të lirë dhe ndërgjegje të lirë për arsye të rrethanave dhe në funksion të tejkalimit të një ngërçi artificial politik. Unë jam këtu për të sjellë mesazhin e popullit të 2 marsit, pjesë e të cilës ka qenë dhe LSI dhe për tu bashkuar të gjithë së bashku në triumfin e mesazhit të 2 marsit.

Që Shqipëria të bëhet si Zvicra. Partia e Referendumit na pret përpara. Partia e popullit të dy marsit. Referendumi do të jetë shpata e Demokleut mbi të gjithë ata që abuzojnë me besimin e popullit të Shqipërisë dhe vonuan integrimin.

Pyetje: Do të thotë që do të bëni parti të re?

Ilir Meta: Partia e Referendumit na pret përpara. Partia e popullit të 2 marsit. 

Pyetje: A do të bashkëpunoni me Sali Berishën?

Ilir Meta:Do të bashkëpunojmë me çdo shqiptar të ndershëm patriot dhe demokrat që kërkon të triumfojë sovraniteti i nëpërkëmbur i popullit të Shqipërisë pa asnjë diskutim. Nuk jam në garë as me Berishën dhe nuk kam qenë në garë as me Lulushin. Kam që në 2 mars që i pres të gjithë të bashkohen për t’ia dhënë fuqinë popullit shqiptar. Shqipërinë nuk e ndryshon dot as Ilir Meta as Sali Berisha as askush tjetër. Shqipërinë e ndryshon vetëm referendum, është primarja e primareve. i duartrokas dhe primaret që ka sjellë Sali Berisha por Referendumi tani është vetë Shqipëria sepse është vënë në pikëpyetje ekzistenca e shteti, ekzistenca e të ardhmes së këtij vendi dhe kjo do të marri fund atëherë kur çdo shqiptar të kuptojë se është zot I këtij vendi.

Pyetje: A po rikthehet Ilir Meta për të qenë 2-shi në opozitë?

Ilir Meta: Nuk jam në garë as me Berishën dhe s’kam qenë në garë as me Lulushin. Kam që në 2 mars që pres për tu bashkuar për tia dhënë fuqinë popullit shqiptar. Shqipërinë nuk e ndryshon dot as Ilir Meta e as Sali Berisha, por referendumi. Është vënë në pikëpyetje ekzistenca e shtetit dhe të ardhmes së këtij vendi. Kjo do të marrë fund. Pushteti më i madh që dua është triumfi i partisë së referendumit. Ua kam lënë të gjitha bashkitë, Tiranën, Shkodrën, e Skrapari. Ua kam lënë të gjitha qeveritë. Unë dua referendumin dhe për këtë jam angazhuar dhe do të arrijmë shumë shpejt.

Meta akuzoi Bashën se futi LSI-në grackë.

Ilir Meta: "Në mënyrë të qëllimtë programuan djegien e mandateve, shkatërrimin e reformës në drejtësi për të lehtësuar kapjen e shtetit në këto përmasa kaq skandalozë. Jo vetëm kaq por ketë nuk mund ta bënin pa futur në grackë dhe LSI e cila për fat të keq doli jashtë funksionit të saj duke u bërë një e pavetëdijshme e një shtojce tërësisht të vetëdijshme të regjimit më kleptokratik që ishte PD e Lulzim Bashës që çdo gjë e kishte të mirë koordinuar dhe mirë programuar me Edi Ramën." 

Meta zbuloi dhe detaje nga fjalimi që do të mbajë sot në konventën e LSI-së.

Ilir Meta: “Fjalën time do ta nis me llogaridhënie me këto 5 vite stë ushtrimit të detyrës time si President. Është në natyrën tim që të mos i shmang llogaridhënies.  Nuk mund të harroj që nëse u bëra president u bëra për shkak të LSI-së dhe peshës së saj të jashtëzakonshme parlamentare e kam përdetyrë të jap llogari për këto 5 vite të ushtrimit të funksionit”