Vasili: Qeveria nuk ul taksat, po pasurohet në kurriz të qytetarëve
Nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili, gjatë një interviste për Ora news tha se qeveria po pasurohet në kurriz të qytetarëve në kohën e krizës.
Petrit Vasili: Bordet e transparencës përcaktojnë marzhin e fitimit, pra sa është përqindja e fitimit që do të kenë biznesmenët për artikuj të caktuar. Qeveria përcakton sa do fitojnë biznesmenët. Atributin që qeveria ka është që, atë që ka pronë të sajën, që janë taksat ta reflektojë me uljen e tyre por nuk i ul. Duke mos i ulur taksat biznesmenët fitojnë më pak, ndërkohë që qeveria fiton më shumë. Sepse të mbledhësh taksa mbi çmime më të larta do të thotë të mbledhësh më shumë të ardhura në buxhet. Qeveria pasurohet në kurriz të qytetarëve në kohën e krizës. Ju e keni dëgjuar që thotë "kemi 240 milion euro mbi parashikimin që paska pasur shteti për realizimin e të ardhurave". Shteti po fryn arkën e tij ndërkohë që qytetarët detyrohen ti paguajnë artikuj më shtrenjtë. Qytetarët presin që shteti të mbajë të ardhurat siç i kishte parashikuar vetë. Qeveria mund të ndërhynte për shembull nëse do ta kishim TVSH mbi shportën 20% bëje 10%.
"Të fituarit janë qeveria në njërën anë dhe oligarkët e saj në anën tjetër. Gjithë këto para i duhen qeverisë për të gjitha koncesionet që ka miratuar kërkojnë para inceneratorët kërkojnë para, ata që kanë marrë arratinë drejtuesit e inceneratorëve duan para që të mos flasin të rrinë të heshtur, të mos i krijojnë probleme qeverisë atje në azil ku kanë shkuar", tha Vasili.
