Uji i pijshëm humb rrugëve, dëmtohen tubacionet tek Rruga e Kavajës në Tiranë

Tubacionet e ujit të pijshëm janë çarë në rrugën e Kavajës pranë qendrës së kryqytetit. Menjëherë pas mbërritjes së grupit të xhirimit të Ora News për raportimin e rastit ka ardhur edhe ndërhyrja e UKT-së. Prej më shumë se 48 orëve uji i pijshëm dërdhej në rrugën "Nikolla Lena", duke u bërë rrezik edhe për aksidente ndërkohë që në shumë zona të kryeqytetit, banorët kanë probleme me furnizimin.

Qytetarët e Tiranës vuajnë mungesën e furnizimit por mbrëmjen e së mërkurës uji i pijshëm derdhej pa ndalim në rrugë fare pranë qendrës së Tiranës.

Prej dy ditësh, në rrugën "Nikolla Lena" janë çarë kanalizimet e ujërave të bardha.

Uji ka vijuar të rrjedhë por asnjë masë nuk është marë deri tani.

Ky qytetar nga Italia, prej kohësh ka zgjedhur të jetojë në Shqipëri. Por gjendja e kësaj rruge për të është e papranueshme.

"Punimet e Ujësjellësit kanë bërë që uji të shpërdorohet në këtë mënyrë. Kush e paguan këtë? Është mëkat."

Ankesat e qytetarëve nuk janë marrë parasysh.

"Në Itali nuk funksionon kështu, nëse do të ishte e njëjta situatë atje do merrje në telefon komunën dhe do të vinin ta rregullonin menjëherë. Kështu do të ishin të gjithë të kënaqur. Miku im ka telefonuar dy herë bashkinë, i kanë thënë do të vijë dikush ta shikojë por nuk ka ardhur."

Ndërkaq ky qytetar ka zgjedhur që nëpërmjet rrjetit social facebook të denoncojë rastin, teksa shton rrezikshmërinë e kalimit në të.

"Janë disa sfida, sfida për energjinë, sfida për ujin. Ky është mëkat. Ne e paguajmë një djall e gjysmë dhe uji në rrugë, është i pijshëm."

Siç mund ta shikoni edhe nga pamjet, në këtë rrugë partaprakisht janë kryer punime nga Ujësjellës Kanalizimet. Gropat janë mbushur me ujë, duke vështirësuar kalimin e banorëve dhe automjeteve.

Qytetarët kanë fiksuar me foto dëmin që u shkaktohet makinave nga kalimi në këtë aks.

Ka mjaftuar prezenca e grupit të xhirimit Ora News, ku pas largimit të tyre UKT ka bërë ndërhyrjen e parë për të verifikuar zonën.

Të enjten kanë filluar edhe punimet për riparimin e defektit që shkaktoi rrjedhjen masive të ujit në rrugë.