Vasili: Rama deklarata anti BE, seancë urgjente në Parlament
Nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili, ka reaguar për deklaratën e kryeministrit Edi Rama të ditës së sotme lidhur me hapjen e negociatave për anëtarësim të Shqipërisë në BE.
Ai ka kërkuar që Parlamenti shqiptar të mblidhet në një Seancë Urgjente Parlamentare.
Petrit Vasili: Parlamenti shqiptar duhet të mblidhet në një Seancë Urgjente Parlamentare për të debatuar për deklaratat shumë të rrezikshme antieurope të Ramës, për demaskimin e skenarëve të zinj të tij dhe për të konfirmuar vullnetin proeuropian të 100% të shqiptarëve.
Rama guxon dhe kërcënon Brukselin në funksion të axhendës së tij si peng i serborusëve, shkruan Vasili në rrjetin e tij social Facebook.
Rama tha sot "Ndërkohë, besoj që të gjithë e kanë të qartë që kjo situatë nuk mund të vazhdojë më gjatë. Megjithatë, ne do të ndryshojmë menjëherë kurs, siç e kemi thënë dhe siç e kemi marrë nga Këshillimi Kombëtar në rast se nuk do të kalojë në fazën tjetër vendi ynë për t’u ulur formalisht në tryezë për negociata".
Sipas Vasilit, "Ky është skandal i dimensioneve shumë shumë të rënda për të sotmen dhe të ardhmen e vendit."
Ballkani i hapur dhe mbështetja skandaloze e Ramës ndaj Vuçiçit, që refuzoi sanksionet ndaj Rusisë është shumë e qartë, thotë Vasili.
Gjithashtu sipas tij refuzimi sot i Rezolutes për Srebrenicën ishte një tjetër vendosje e hapur krah Serbisë dhe sivëllait Vuçiç.
