"Nuk kam firmos asgjë, rren", nënë Liza përgenjështron Veliajn, atë dhe Ramën s'ia lë në dorë Zotit por rusit
Mashtrimi publik i kreut të bashkisë në mbledhjen e Këshillit bashkiak të Tiranës nxori në protestë banorët e "5 Majit" me në krye nënë Lizën.
Ajo përgenjështroi pretendimin e Veliaj se ajo është takuar me kreun e IMT dhe ka firmosur marrëveshjen.
Nënë Liza: Rren gjithë ditën. Pa lëshuar firmën për bonus, kontratë dhe shtëpi asgjë nuk firmos. Nuk kam takuar asnjeri aq sa kam takuar nënë e babë në varr që i kam në Mirditë. Prej tyre javësh jam sëmurë, kam dalë nga spitali sot nga ora 3, flas me një burrë të vjetër dhe më tha ke marrë shtëpi nëna Liza. I thashë jo. Po tha po. Pas një jave e merr. Unë as kam firmos bonus, asnjë lloj letre. Nëse ka firmosur kush të tregojë Erion Veliaj vetë. Unë dhe fëmijët e mi nuk kemi lëshuar asnjë firmë as për bonus, as për kontratë, asgjë. Por nga sot që ka gënjyer i dua shtëpinë se s'bën, Veliajt, Qatos e kryeministrit.
Të më japin shtëpinë. Mos të më lënë rrugëve. Nuk dua të vdes në rrugë por në shtëpi timen. I dua shtëpinë, rrena nuk ka. Unë jam plakë, nuk rrej. U kam thënë të gjithëve kur të firmos kontratë dhe bonusin do tu tregoj. Nuk dorëzohem derisa të më merret fryma. Mos të rrejë. Nuk janë burra se me qenë burrë nuk rren. Më marrin në telefon të gjithë ke marrë shtëpinë. Ku është shtëpia? Nuk kam takuar askënd. Kam parë në rrugë policinë duke prishur shtëpitë e huaja.
Por me fol me ta, me lëshu firmë jo. I dua shtëpinë Erion Veliaj se s'bën brenda tre muajsh. Shtëpitë i ka, pallate ka të ndërtuara. Të më japë shtëpinë time. Jam me një televizor të falur. Mender teje do marr lesht. I marrtë mortja të gjithë. Rusi i shkatërroftë të gjithë, nuk ka nevojë me rrejt, me u marrë me një plakë. I shemben dhe i lanë grumbull këtu. Turpi i botës. Zi me Enver Hoxhën, më zi me Edi Ramën, ky na doli më përdreq se të gjithë.Mashtrojnë ata se kanë para boll, unë nuk kam me çfarë marr ilaçe. Me i nxjerr brirët Edi Rama dhe Erion Veliaj nuk firmos kontratë as bonus.
Një tjetër banor, Gjini tregon se bonusin e qirasë e ka firmosur, por kontratën për banesën jo.
Gjini: Çdo gjë është me shkelje. E ka gjet Avokati i Popullit, KLSH, Open Data. Kam firmosur por bonusin e qirasë se kam marrë. Disa që kanë firmosur herët e marrin realisht. Edhe po ma dhanë nuk e di ku do gjej shtëpi me 220 mijë lekë. Kreun e IMT nuk e kam takuar kurrë, nuk e njoh as si person. Të çojnë specialistë dhe jurista që të na sqarojnë se akt-marrëveshja ka vlerë. Ne kemi pyetur juristët dhe kanë thënë nuk ka vlerë, jo një dhe dy, por me dhjetëra. Të na bindin se akt-marrëveshja me vlerë historike.
Edhe banorët e tjerë akuzojnë Veliajn se po gënjen për "5 Majin".
"Mashtrues. Kokrra e mashtruesit. Në ka një argument se nënë Liza ka takuar Mariglen Qaton dhe ka firmosur, ta publikojë akt-marrëveshjen. Langaraq. Nuk është burrë ai. Nënë Liza është burrneshë. E përgenjështrojmë dhe ne. Unë kam firmosur për bonusin e qirasë që muajin e kaluar, se kam marrë deri më tani. Për 1-3 veta është 180 mijë lekë. Unë kam shtëpinë me qira 250 mijë lekë të vjetra pa mobilim."
"Ai krenohet se po u jep bonusin e qirasë, me gjëra idiote siç është vetë. Unë nuk kam çfarë firmos, shtëpia ka qenë e palegalizuar. Kam marrë vetëm gjobën".
