PS refuzon negociatorët e Berishës për Presidentin, Balla: Nga bota e përtejme nuk marrim asnjë propozim
Deputetët Luçiano Boçi dhe Oerd Bylykbashi janë mandatuar nga Komisioni i Rithemelimit në Partinë Demokratike si negociatorë me partitë e opozitës për çështjen e zgjedhjes së Presidentit të ri të vendit.
Ish-kryeministri Sali Berisha tha të martën pas mbledhjes së Komisionit se Enkelejd Alibeaj nuk përfaqëson Partinë Demokratike.
Por socialistët duket se i qëndrojnë zotimit të tyre për të mos pranuar asgjë që vjen si propozim i Sali Berishës, qofshin këta dhe negociatorë.
Këtë e konfirmoi kreu i grupit të PS-së Taulant Balla, njëherësh dhe një nga tre negociatorët socialistë, në një prononcim për gazetarët jashtë Kuvendit.
"Kush propozohet nga zoti Berisha nuk miratohet. Nga bota e përtejme ne nuk marrim asnjë lloj propozimi, asnjë lloj kërkese. Zotërinjtë që ju përmendni janë të propozuar nga bota e përtejme, nuk i pranojmë. Ndërkohë që nesër jemi njoftuar se do të kemi takime me grupet parlamentare. Uroj dhe besoj që edhe PD, grupi më i madh i opozitës, të marrë një vendim për t'ju përgjigjur pozitivisht ftesës tonë për një takim. Të dëgjojmë njëri-tjetrin, të bëjmë propzime kriteresh dhe pastaj pse jo dhe propozim emrash dhe të biem dakord. Dëshira jonë e madhe është ti japim Shqipërisë një President mbi palët dhe një President që të përmbushë atë që përcakton Kushtetuta. Për Presidentin kemi përjashtuar çdo lloj forme dialogu apo negociate me Sali Berishën dhe ata që përfaqëson lëvizja e Sali Berishës".
