Deklaratat e Kim, Lela: Ambasadorja e prirur për t’u strehuar te çadra e qeveritarëve

Gazetari Alfred Lela, ka komentuar deklaratën e Ambasadores së SHBA Yuri Kim, e cila pak ditë më parë tha se politikanët nuk duhet të bëjnë thirrje për ndjekjen penale të askujt.

Në një intervistë për RTV Ora me gazetaren Kostana Morava, Lela tha se Kim me deklaratën që bëri përkufizonte të dyja krahët politikë edhe opozitën dhe pozitën.

Sipas Lelës Kim në disa raste ka demosruar dëshirën për të qenë kritike ndaj opozitës  dhe më e kujdesshme ndaj qeverisë.

Alfred Lela: Ambasadorja me deklaratën që bëri i përkufizonte të dy krahët politik, duke thënë se drejtësia duhet të bëjë punën e vet në mënyrë të pavarur. Kim ruante një baraslargësi, ku në fakt në disa raste ka demonstruar një  dëshirë për të qenë më kritike opozitën ose me faktorët opozitarë e shumë e kujdesshme për të mos cenuar në asnjë rast qeverinë, apo faktorë të afërt me qeverinë.

Ai tha se Kim ka negociatat me qeverinë, ndërsa shtoi se kjo e fundit është e prirur për t’u strehuar te çadra e qeveritarëve.

Alfred Lela: Kjo lidhet me atë lëvizjen amerikane që e para  është drejtësia e më pas vijnë aleancat. Kim pjesën e negociatave e ka me qeveritarët. Kim është parë si pak më e dhënë për t’u strehuar te çadra e qeveritarëve, dhe për të qenë e ashpër me opozitën. Kim ngrohet më shumë sesa duhet nga marrëdhëniet që ka me qeverinë.

Kim në deklaratën e saj tha:

Do të quhet gjithashtu e suksesshme kur të mos mendojmë më se është me vend që udhëheqës politikë në pushtet apo jashtë pushtetit të bëjnë thirrje për ndjekjen penale të këtij apo atij; të thuhet se drejtësia jepet vetëm kur në burg futet tjetri dhe se drejtësi nuk bëhet kur në burg futen të mitë. Kjo nuk është drejtësi; nuk janë këto standardet që duam t’ju ndihmojmë të arrini në Shqipëri. Dhe mendoj se nuk janë këto standardet që populli shqiptar kërkon kur flet për reformë në drejtësi."