“S’miratojmë propozimet e Berishës”, Mediu replikon me Ballën: Srebenica është akt politik, s’ka të bëjë me personin

Kuvendi i Shqipërisë nuk ka pranuar të votojë rezolutën e propozuar nga Tritan Shehu për dënimin e masakrës së Srebrenicës nga ushtria serbe.

Kryetari i grupit Parlamentar 'Aleanca për ndryshim, Fatmir Mediu, në një intervistë për Ora News , tha se ndonjëherë është më mirë që disa rezoluta të mos kalohen për votim sesa të kundërshtohen.

Nisur nga deklarata e Taulant Ballës, i cili tha se nuk do të miratojnë asnjë propozim të Sali Berishës, Mediu tha se dënimi i gjenocidit të Srebenicës nuk lidhet me atë që e prezanton, ndërsa rezoluta kishte të bënte  me një akt politik e përgjegjshmërie të deputetëve.

Fatmir Mediu: Për çështje të interesit kombëtar, për çështje të rezolutave të tilla, duhet të ketë një mendim shumë herë më të thelluar të parlamentit shqiptar.  Ndonjëherë është më mirë të mos kalojë në votim sesa të kundërshtohen për t’u përdorur për një shkak  politik nga interesa anti-shqiptarë.

Ne duhet të arrijmë të kuptojmë që duhet të ndërtojmë raporte të drejta me këdo në Ballkan, nëse qartësisht do dënojmë atë që ka  qenë kriminale dhe do të dimë  të ndërtojmë atë çka është e ardhmja. Duhet të ecim në raporte korrektese.

Dënimi i gjenocidit  të Srebenicës nuk lidhet thjesht se kush e propozon, ka të bëjë me një akt shumë të rëndësishëm politik, ka të bëjë me një akt politik e përgjegjshmërie  të deputetëve, dhe kjo përgjegjshmëri duhet të na bashkonte dhe jo të na ndante.