Mediu: Debati opozitar i jep shanse Ramës që të zgjedhë president atë që do. Rruga e vetme për t’u përballur me pushtetin
Kryetari i grupit Parlamentar 'Aleanca për ndryshim, Fatmir Mediu, është shprehur se debati brenda PD po i jep mundësi Edi Ramës që të bëjë lojën politike dhe të zgjedhë për president atë që ai do.
Në një intervistë për Ora News, me gazetarin Arnold Kariqi, Mediu tha se opozita duhet të heqë dorë nga këmbëngulja për të mos marrë pjesë në procesin e zgjedhjes së presidentit, pasi në këtë mënyrë po i dhuron pushtet Edi Ramës.
Fatmir Mediu: Ky lloj debati opozitar po I jep Ramës mundësi që të bëjë lojën politike, por unë kam një parim, nuk shoh se çfarë bën kundërshtari për të parë sjelljen në kuptimin e drejtë që duhet të ketë opozita. Opozita e ka të nevojshme arritjen në gjykim të përbashkët për këtë proces.
Presidenti ka një autoritet të jashtëzakonshëm. Ne nuk mundet që t’I dhurojmë pushtet pafundësisht Edi Ramës. Kjo sjellje që ne po bëjmë është që t’I japim hapësirë Edi Ramës të zgjedhë atë që do. Opozita duhet të heqë dorë nga mospjesëmarrja në proces dhe t’I dhurojë Ramës pushtet pa fund. Të paktën ne në detyrimin tonë kushtetues ligjorë. Mendoj se opozita ka mundësi që të përcjellë kandidatura që kanë në opinionin publik kanë një mbështetje por kanë një autoritet për të bërë rolin e presidentit të Republikës.
Ai tha se nëse opozita nuk gjen një zgjidhje të përbashkët përsa i përket presidentit, më pas do të ketë pasoja. Mediu theksoi se për t’u përballur me pushtetin opozita duhet të jetë e bashkuar.
Fatmir Mediu: Nëse nuk gjejmë një mundësi për të gjykuar në mënyrë të përbashkët këtë moment të rëndësishëm kushtetues për zgjedhjen e presidentit, kjo do të pasojë pastaj me një konflikt të vazhdueshëm brenda e opozitës. Opozita nuk ka shanse të tjera përveçse të jetë e bashkuar për t’u përballur me këtë pushtet dhe për këtë ka nevojë për një gjykim të përbashkët se çfarë duhet të ketë kodi zgjedhor.
Më tej ai shtoi se detyra e politikanëve është që përballë shqiptarëve të ofrojnë një alternativë qeverisëse pa probleme.
Fatmir Mediu: PD është baza dhe forca e opozitës shqiptare dhe si e tillë duhet të gjejë të gjithë energjitë për t’u bashkuar. Nuk është më një çështje individësh, por është një çështje që u ofron shqiptarëve , një të ardhme. Ne si politikanë kemi një detyrë që përballë qytetarëve shqiptarë të ofrojmë një alternativë qeverisëse pa probleme që garanton një zhvillim të shoqërisë shqiptare.
