Infermierët në BE, dita në Shqipëri/ Studentët: Këtu kushtet janë të vështira, duam që të largohemi
Këtë të enjte u shënua dita ndërkombëtare e infermierëve. Prej vitesh Shqipëria është prekur nga fenomeni i largimit masiv të bluzave të bardha. Për këtë qëllim studentët thonë se po përgatiten që në shkollë.
Nisur nga shifrat e larta të të larguarve, duket se vendit tonë po i mbetet vetëm të përkujtojë ditën e infermierëve.
Në ditën ndërkombëtare të Infermierit, studentët në Korçë improvizuan ndihmën e parë në rrugët e qytetit.
Ata marshuan në qytet në nder të profesionit të tyre, ndërsa kushtet e punës në vendin tonë duket se nuk janë aq të favorshme.
“E para nuk vlerësohet, paga”
“Punësimi është shumë i vështirë për shkak të pagave, rrogat janë shumë të ulta.”
‘Kushtet nuk janë të mjaftueshme”
Shumë prej tyre duan që të largohen nga vendi.
“Të gjithë duan të largohen jashtë.”
“Jam akoma në mëdyshje, por nëse nuk kam një të ardhme këtu edhe unë do të largohem si të gjithë bashkëmoshatarët tanë.”
Infermierët në vendin tonë kanë pasur një bum largimesh vitet e fundit, ndërsa një raport i qëndresës qytetare, tregoi se në vitet 2020 – 2021, 1687 infermierë kanë kërkuar certifikatën e sjelljes së mirë nga Urdhri i Infermierit, dokument ky që nevojitet për t’u bërë pjesë e sistemit shëndetësor të një vendi tjetër, ndërsa raporti arrinte në përfundimin se Shqipëria ka eksportuar vitet e fundit aq infermierë sa ka diplomuar.
