UKT dëmton rrugën te Fresku. Banorët: Pluhur, gropa plot, nuk kemi ku kalojmë
Ndërhyrja e ujësjellës kanalizimeve të Tiranës për shtrirjen e tubacioneve, ka dëmtuar një tjetër rrugë në zonën e freskut e cila është lënë në mëshirë të fatit duke u bërë shkak për aksidente të mundshme dhe dëmtimin e automjeteve.
Banorët e rrugës së teleferikut në zonën e freskut kanë dorëzuar edhe një ankesë online në portalin Tirana ime ku kërkojnë asfaltimin e kësaj rruge dhe rikthimin në gjendjen e mëparshme pas ndërhyrjes së UKT.
Përgjigja konfirmon se do të verifikohet situata, ndërsa qytetarët thonë se pas një muaji nga kjo ankesë askush nuk ka shkuar të riparojë rrugën e dëmtuar.
"Që kur është rindërtuar për herën e parë nuk është bërë asnjë punim. Është shumë shqetësuese sepse mblidhen të gjitha pluhrat, sëmundja është. Nuk mirëmbahet, punonjësit vetëm marrin rrogën."
Të shqetësuar prej gjendjes së saj, qytetarët kërkojnë rishikimin e punimeve sa më pare pasi rrezikohen automjetet por edhe kalimtarët.
"Që kur është hapur, hapur ka mbet. Ta rregullojnë sa më parë se vdiqëm nga pluhuri, nga pislliku."
Disa herë në këtë rrugë janë kryer punime, të cilat jo vetëm nuk e kanë përmirësuar aksin, por kanë ndikuar edhe më shumë në zgjerimin e gropave të saj.
"Se çfarë po bëjnë nuk e di. Njëqind herë hapet, mbyllet, prishet."
Një verifikim në hartën e google tregon se I njëjti aks është dëmtuar vazhdimisht nga ndërhyrjet e UKT edhe në vitin 2016.
