Manja i kërkoi SPAK-ut ta hetojë, Berisha përballet me Ministrin: Pse po bën badigardin e Ramës këtë javë? Hapja zemrën kolektivit

Pasi i bëri thirrje publike SPAK-ut që ti hapë petët e lakrorit të korrupsionit tw ish-kryeministrit Sali Berisha, ministri i Drejtësisë Ulsi Manja u përball në Kuvend sy më sy me liderin demokrat.

Zgjodhi të replikojë me të për barazinë gjinore.

Ulsi Manja: Kur dëgjon zotin Berisha që flet me kaq patos për barazinë gjinore të mbushet mendja me gjithë mend  sikur ke përpara kalorësin e barazisë gjinore në glob. Por zoti Berisha është kujtuar shumë vonë për të folur për politikat shtetërore dhe sociale në fushën e barazisë gjinore sepse pasi shkatërroi në qeverinë e vet të parë, te Saliu i parë se tani është Saliu i tretë ky, shkatërroi dhe u vuri dermën qendrave shëndetësore, çerdheve, kopshteve, azileve me devizën dhe teorinë e tij qeveriste Shqipëria viti zero se gjithçka e kishte ndërtuar komunizmi prodhoi të gjithë ato tragjedi jo vetëm në fushën e barazisë gjinore dhe sociale, por tragjedi që i kanë paguar me kosto shumë të madhe shqiptarët.

Tani kujtohet dhe vjen këtu dhe flet si kalorës i barazisë gjinore. Jo Sali, edhe gjuha që ti përdore këtu nga kjo foltore është dhunë në vetëvete mbi gratë dhe vajzat shqiptare. Një gjuhë e ashpër, viktimizuese, një gjuhë e zezë dhe që nuk ka lidhje fare me çështjet e barazisë gjinore dhe as avokatinë që ti kërkon tu bësh.Të paktën tani në këtë lloj moshe që je e vetmja gjë e mirë, i vetmi mesazh i mirë që mund të përçosh ti për shqiptarët, gratë dhe vajzat shqiptare por edhe për rininë shqiptare, është të paktën të heshtësh minimumi sepse sa herë del këtu është njëlloj sikur autori kthehet te vendi i krimit.

Por në replikë me të ish-kryeministri Sali Berisha e drejtoi debatin aty ku deshi.

Sali Berisha: Kam një replikë shumë të shkurtër, me një pyetje të vetme: Çfarë të shtyn Ulsi të bëhesh badigard i Edi Ramës këtë javë? Unë e di por më mirë hapja zemrën kolektivit. Kaq kisha.

Pas kësaj pyetje të adresuar nga Foltorja e Kuvendit, Berisha la sallën dhe u largua duke e përshëndetur Manjën me dy gishta.

Ministri gjithësesi pati një përgjigje për të.

Ulsi Manja: Sali, Edi Rama është në mandatin e tretë të qeverisjes sepse e votojnë mbi 800 mijë shqiptarë dhe unë e kam për nder që jam shërbëtor në qeverinë Rama 3, shërbëtor i qytetarëve shqiptarë. Rri pa merak për këtë pjesë. Jam krenar që jam pjesë e kësaj mazhorance dhe kësaj qeverie.