"Armiku" te porta, NATO mirëpret anëtarësimin e Finlandës dhe Suedisë në Aleancë

NATO ka dhënë pëlqimin e saj për vendimin e Suedisë dhe Finlandës për t’iu bashkuar Aleancës, në një kohë që Rusia i ka kërcënuar dy shtetet fqinje me armë bërthamore nëse tentojnë t’i bashkohen NATO-s.

Topi ka mbetur në dorën e Stokholmit dhe Helsinkit për të kryer procedurën e aplikimit në NATO.

Të enjten, sekretari i Përgjithshëm i Aleancës, Jens Stoltenberg tha se NATO e mirëpret anëtarësimin e tyre.

"Ne jemi në dialog me Finlandën dhe Suedinë dhe është vendimi i tyre. Por nëse vendosin të aplikojnë, Finlanda dhe Suedia do të mirëpriten ngrohtësisht dhe unë pres që procesi të shkojë shpejt."

Shefi i NATO-s gjithashtu i bëri thirrje Moskës që të lejojë dy shtetet që të zgjedhin rrugën që duan, pas kërcënimeve të vazhdueshme të Rusisë ndaj dy vendeve nëse do të anëtarësoheshin në Aleancë.

Finlanda dhe Rusia ndajnë një kufi prej 1340 kilometrash dhe shqetësimi i Moskës edhe për Ukrainën ka qenë mos anëtarësimi i saj në NATO dhe pozicionimi i saj si shtet neutral për ta mbajtur Aleancën sa më larg territorit të vet. 

Rusia ka paralajmëruar më herët Helsinkin dhe Stokholmin me armë bërthamore nëse vendosin që t’i bashkohen Aleancës së NATO-s.

Finlanda ka luftuar kundër Bashkimit Sovjetik gjatë Luftës së Dytë Botërore e cila përfundoi me dhënie territoresh ndaj shtetit komunist.

Ndërsa Suedia ka qenë një shtet neutral ushtarakisht dhe nuk ka marrë pjesë në asnjë luftë prej 200 vjetësh.

Suedia dhe Finlanda pritet që të dorëzojnë gjatë muajit maj kërkesën e tyre të aplikimit në Aleancën e NATO-s.