I bien "kryq e tërthor" Deputetët e Berishës inspektojnë selinë e PD-së, nga oborri deri në tarracë
Deputetët e Komisionit të Rithemelimit këtë të shtunë kanë inspektuar selinë e PD-së dhe dyert e blinduara si dhe për të bërë të mundur heqjen e tyre. Ky vendim është marrë jo vetëm nga Komisioni i Rithemelimit por edhe nga kryesia e PD. Anëtarët e Komisionit të Rithemelimit njoftuan se këto dyer do të hiqen shumë shpejt. Deputeti Flamur Noka tha se kjo do të sjellë dy mesazhe të qarta, ç'bunkereizimin dhe bashkimin e partisë.
Noka: Dy janë mesazhet që mund të përcjellim. I pari ç'bunkerizimi i PD, i dyti është rruga me çdo demokrat nga më i thjeshti në bazë deri te deputetët në qendër e kemi së bashku. Pas ç'bunkerizimit të partisë kjo seli do t'i kthehet normalitetit, do jetë e hapur për çdo demokrat dhe kjo periudhë që ka kaluar do jetë e shkuar, do hidhet pas.
Nuk do doja as ta kujtonim këtë periudhë që ka kaluar PD dhe demokratët. Do shohim përpara se nuk mund të rrimë peng i hijeve të bunkerit as i mentaliteteve të vjetra të përçarjes. Beteja do të jetë me regjimin për ta rrëzuar një regjim që po i pi gjakun shqiptarëve.
Noka shtoi se mbledhja e Grupit Parlamentar nuk përjashton askënd, të gjithë demokratët duhet të jenë të bashkuar për të bërë të mundur përballjen me regjimin.
