PD e Shkodrës dënon sulmet me eksploziv: E vërteta do dalë sado e errët të jetë dora pas akteve të terrorit

Partia Demokratike Dega Shkodër ka dënuar sulmet me eksploziv të ndodhura në orët e para të mëngjesit të sotëm, 26 mars.

Në deklaratë thuhet se e vërteta do të dalë shumë shpejt, sado e errët të jetë dora pas këtyre akteve të terrorit.

Deklarata e plotë:

Partia Demokratike Dega Shkodër dënon aktet e dhunës dhe të terrorit ndaj Kandidatit te PD per kryetar bashkie z. Xhemal Bushati dhe familjes se tij, pronës së qytetarëve të Shkodrës, por edhe ndaj biznesit e sipermarrjes se lirë.

Sado e errët të jetë dora pas këtyre akteve të terrorit, e vërteta do të dalë shumë shpejt.

Qytetarët e Shkodrës meritojnë rend dhe siguri. Ftojmë Policinë e Shtetit të jetë në lartësinë e përgjegjësive që ju ngarkon detyra dhe të zbulojnë ngjarjen dhe motivet e saj.

Kushdo që mendon ta trembë dhe ta nënshtrojë Shkodrën, shkodranët dhe çdo demokrat me akte terrori, e ka gabim.

Partia Demokratike, ashtu si dhe kandidati i saj, gjatë fushatës, por edhe në vazhdim, kanë dëshmuar se të vetmen aleancë e kanë me Shkodren dhe jo me krimin.

Gjithashtu, bëjmë thirrje që në këto kohë të pazakonta, të mos nxisim mllef dhe agresion, por të identifikohemi me atë që Shkodra e ka në gen: qytetari!