A ka vend për Bashën në PD? Noka: Do jetë një nga kolegët tanë nëse...

A ka më vend për Lulzim Bashën në PD? Deputeti Flamur Noka nga selia e PD tha se në parti ka vend për të gjithë ata persona që duan të japin kontributin e tyre dhe janë kundër regjimit. Deputeti shtoi se kjo forcë politkke do të jetë një forcë e hapur për të gjithë qytetarët.

Noka: Në PD ka vend për çdo qytetar të lirë të këtij vendi i cili nuk bashkohet me këtë regjim dhe është kundër këtij regjimi. Nuk do jetë më parti as e bravave, as e blindave. Do jetë parti e lirë. Kjo forcë politike do jetë e hapur për të gjithë, për Lulzim Bashën i cili do jetë një nga kolegët tanë dhe për çdo njeri që do të japë kontribut në këtë parti.

A do ketë takim me Enkelejd Alibeajn?

Noka: Takim, kafe shumë miqësore sepse jemi kolegë, ndajmë të njëjtat shqetësime, ndajmë të njëjtën aspiratë, kemi të njëjtën rrugë dhe kemi të njëtjin regjim përballë. Jemi të hapur për çdo gjë në këtë aspekt. Vetëm ndarje nuk kemi. Tashmë gjithçka në funksion të bashkimit. Të gjitha hijet e së shkuarës, blindat dhe bunkeri hidhen pas. Nuk ka ndarje.

A keni diskutuar me deputetë që nuk janë pjesë e Komisionit të Rithemelimit?

Noka: Jemi në kontakt me kolegët tanë deputetë, me drejtuesit e strukturave të partisë, në kontakt me të gjithë demokratët. Fryma jonë është bashkim, jo armiqësi, jo ndarje. Javën tjetër do ketë mbledhje të Grupit Parlamentar.

Me Grida Dumën dhe Ervin Salianjin keni folur?

Noka: Me të gjitha pa përjashtim. Kjo parti nuk është pronë e askujt, është pronë e demokratëve. Ne që na është dhënë votë besimi deri në Kuvendin e ardhshëm kemi një detyrë, të bashkojmë demokratët, ta bëjmë forcë fituese siç ka qenë gjithmonë.

Noka shtoi se kjo parti do të japë një leksion të madh demokracie.