A do ta sfidojë Sali Berishën në garën për kreun e PD? Ja si përgjigjet Tritan Shehu
Ndërsa është hapur "gara" për zgjedhjen e një kryetari të ri në krye të Partisë Demokratike, me Sali Berishën që e ka deklaruar publikisht tashmë se do të kandidojë për këtë post, ish-kryetari i kësaj partie Tritan Shehu thotë se nuk e ka këtë ambicie.
Shehu: Jo nuk e kam menduar dhe nuk e mendoj një gjë të tillë. Unë kam qenë kryetar i PD, të nesërmen e humbjes së zgjedhjeve dhashë dorëheqjen. Këta parim kam, ka nuk ka përgjegjësi duhet të japë dorëheqjen.Është një ligj i artë në demokraci, humbe zgjedhjet jep dorëheqjen. Unë dhashë dorëheqjen të nesërmen e zgjedhjeve, njeriu nuk është kontributiv vetëm duke qenë kryetar. Nuk e kam menduar dhe nuk e mendoj ndonjëherë. Do të jem gjithmonë pjesë e PD, në luftën e PD dhe aktivitetin e PD por nuk kam ndërmend të kandidoj për poste të tilla.
I ftuar në Ora News me gazetarin Everest Dedaj, ai thotë se PD tashmë është futur në rrugën e tejkalimit të krizës së brendshme dhe të gjithë duhet të shohin nga e ardhmja.

Shehu: Ka ardhur momenti të gjithë ti thërrasim mendjes: Hajde të bashkëjetojmë sëbashku qoftë dhe në diversitetet tona, duke u peshuar të gjithë nga vota e anëtarësisë apo forumit. Do jemi sëbashku në grupin parlamentar, duhet të bisedojmë sëbashku, duhet të zgjedhim sëbashku drejtuesit e grupit parlamemntar me votë të fshehtë, kush të marrë votat të zgjidhet, jo do të transmetojë mesazhin e qartë të normalizimit.
Po ndërsa Sali Berisha tenton rikthimin pas 9 vitesh, Shehu e pranon që PD dështoi të prodhojë figura të reja.
Shehu: Dështoi ai proces që duhej të ndodhte nga 2013. Nuk dështuam vetëm në fushatë elektorale por dhe në procesin në terësi. Askujt nuk mund ti thuhet mos kandido, është arbitraritet jo demokraci. E vendos vota e anëtarësisë.
Deputeti Shehu thotë se pas organizimit të brendshëm, PD duhet të jetë një trup i vetëm dhe me LSI dhe aleatët për të rrëzuar qeverinë Rama.
Shehu: Duhet të bashkojmë të gjitha ato forca që kërkojnë të rrëzojnë këtë regjim. Padyshim që do ja arrijmë sepse Shqipëria do të thellohet në katastrofën historike të saj.
