Në shënjestër biznesi i Bushatit, PD: Kush mendon se do përulë demokratët me sulme direkte, i ka bërë llogaritë gabim
Partia Demokratike ka reaguar lidhur me sulmin me eksploziv në objektin në pronësi të Xhemal Bushatit, ish-kandidati i PD-së në zgjedhjet e 6 marsit.
Sulmi ndodhi në orët e para të mëngjesit të sotëm, 26 mars.
PD dënon me ashpërsi sulmin dhe nëpërmjet një postimi në Facebook thotë se gjendja e sigurisë në Shkodër ka vetëm përkeqësim për shkak të aleancës së qeverisë me krimin. Më tej, në deklaratë PD i kërkon organeve ligjzbatuese të zbulojnë përgjegjësit e këtij agresioni, që prek drejtpërsëdrejti Bushatin.
DEKLARATË E PARTISË DEMOKRATIKE
Partia Demokratike dënon me ashpërsi sulmin me eksploziv ndaj pronës së kandidatit demokrat për bashkinë e Shkodrës Xhemal Bushati.
Për fat të mirë, familja e zotit Bushati, që banon në të njëjtën godinë, nuk ka lëndime fizike, por ngjarja është tronditëse për ta dhe për qytetarët e Shkodrës. Për fat të keq, gjendja e sigurisë në Shkodër ka vetëm përkeqësim për shkak të aleancës së qeverisë me krimin.
Partia Demokratike u kërkon organeve ligjzbatuese të zbulojnë përgjegjësit e këtij agresioni, që prek drejtpërsëdrejti zotin Xhemal Bushati, një nga personalitetet më të respektuar të qytetit të Shkodrës.
Kush mendon se mund të përkulë demokratët me sulme direkte ose indirekte, i ka bërë llogaritë gabim!
