Aksion antidrogë në Korçë, policia shtrin përtokë të riun, sekuestrohen mbi 50 kg kanabis

Policia e Korçës ka finalizuar fazën e pestë të operacionit antidrogë të koduar "Restart" i cili kishte nisur 4 muaj më parë.

Dëfrim Bardhushi dhe Elvis Venxha u arrestuan ndërsa u sekuestruan 51.5 kilogramë të tjera lëndë e dyshuar narkotike kanabis.

"Ka shkuar në 12 numri i të ndaluarve dhe në 373.5 kilogramë lëndë narkotike kanabis e sekuestruar në kuadër të këtij operacioni, për goditjen e një grupi kriminal në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike në drejtim të shtetit grek, shpërndarjes së lëndëve narkotike dhe armëmbajtjes pa leje", informoi policia.

U arrestuan

Dëfrim Bardhushi, 33 vjeç, banues në fshatin Mborje, Korçë, (i cili ishte nën masën e sigurisë "Arrest në shtëpi" për veprën penale "Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve").

Elvis Venxha, 30 vjeç, banues në fshatin Mborje, Korçë.

Shërbimet e policisë, në bazë të informacioneve të grumbulluara se shtetasit e mësipërm në bashkëpunim mes tyre, po transportonin një sasi droge, organizuan punën dhe bënë lokalizimin e mjetit tip "Mercedes Benz" me të cilin ata po udhëtonin, në aksin rrugor Korçë-Bilisht. Drejtuesi i mjetit  Elvis Venxha, sapo ka konstatuar se ishte nën ndjekjen e policisë, ka tentuar të largohet me shpejtësi duke goditur edhe mjetet e efektivëve, por u kap menjëherë dhe u neutralizua.

Gjatë kontrollit të ushtruar në automjet, në bagazhin e tij u gjetën e sekuestruan në cilësinë e provës materiale 50 pako, me peshë totale 51.5 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis.

Vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie të kundërligjshme dhe priten arrestime të tjera në orët në vijim.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë për veprat penale "Prodhimi dhe shitja e narkotikëve" kryer në bashkëpunim dhe "Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit".