Kajsiu thotë se është iluzion të mendosh të konkurosh Sali Berishën. Mund të ketë ndryshuar?(Qesh)

Politologu Blendi Kajsiu thotë se rikthimi i Berishës në PD si fitimtar kundër grupit që donte ta ndante PD nga berishizmi si filozofi dhe ideologji nënkupton fundin e demokratizimit të kësaj partie dhe kthimin e kësaj partie në pronë private.

I ftuar në Rtv Ora me gazetaren Beti Njuma ai thotë se primaret brenda PD teorikisht janë të mira për tu bërë, por praktikisht janë të pamundura me dikë si zoti Berisha që sipas tij e ka treguar se mund të bëjë shumë gjëra, por një nga ato nuk janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme brenda PD.

Kajsiu: Brenda PD me fytyrën e zotit Berisha të kontrolluar prej tij nuk mund të ketë konkurencë me Berishën, është iluzion të mendosh.

Duke analizuar statutin e miratuar nga Kuvendi i 11 dhjetorit dhe që sot u certifikua edhe nga gjykata, Kajsiu ka këtë koment.

Kajsiu: Kërkesat për largimin e liderit që jep dorëheqjen nuk janë të reja. Problemi është se Berisha kurrë nuk ka humbur zgjedhje, gjithmonë zgjedhjet i vidhen. Kjo i ndodhte dhe zotit Basha. Mund të thuhet në statut që kush humbet zgjedhjet largohet por pasi bëhen zgjedhjet kush pranon brenda PD se zgjedhjet nuk u vodhën por i humbi Berisha apo Basha. Nuk ofrojnë garanci se PD nuk do të rikthehet aty ku ishte në 2013, 2017, 2021.

Pyetjes nëse zoti Berisha mund të ketë ndryshuar dhe nuk është më ai autoritari që përshkruan Kajsiu, ky i fundit i përgjigjet me të qeshur:

Kajsiu: Më shumë se një koment një e qeshur mjafton për këtë. Shtëpia e Lirisë, largimi i tij nga PD, mënyra si u përball me Bashën vërteton se jo vetëm nuk ka ndryshuar por ai vazhdon të insistojë se PD nuk mund të jetë jashtë vullnetit dhe kontrolit të tij.