“Luftë” me tritol në Shkodër. Në shënjestër biznesi i Xhemal Bushatit, kandidatit të PD për bashki
Dy shpërthime të fuqishme tronditën Shkodrën në harkun kohor të pak minutave dhe në një distancë jo më shumë se 1 kilometër larg njeri - tjetrit.
Ka qënë ora 02.20 minuta kur shpërthimi i parë ka ndodhur në derën kryesore të supermarketit në pronësi të shtetasit Florenc Marku në rrugën “Bujar Bishanaku”. Shpërthimi ka qënë i fuqishëm duke dëmtuar xhamat e biznesit dhe atyre përreth, por fatmirësisht pa lëndime në njërez.
Vetëm 5 minuta më vonë, shpërthimi i dytë ka ndodhur në një biznes shitje rrobash në pedonalen e Shkodres, ngjitur me prefekturën e qytetit, objekt në pronësi të Xhemal Bushatit, kandidat i PD për bashkinë Shkoder në zgjedhjet e 6 marsit.
Edhe këtu dëmet materiale janë të shumta si në këtë biznes dhe ato përreth, përfshirë edhe xhamat e prefektures së Shkodres. Sasia e vendosur ende nuk është përcaktuar por nga vala e shpërthimit grupi hetimor deklaron se ka qënë e konsiderueshme duke parë edhe dëmet.
I kontaktuar nga Ora News, Bushati ka deklaruar se nuk ka asnje konflikt te hapur.
Forca të shumta policie kanë mbërritur në vendngjarje duke nisur hetimet. Përveç marrjes në pyetje të pronarëve, në ndihmë të hetimeve pritet të vijnë kamerat e sigurisë së bizneseve përreth. Ata sipas grupit hetimor do të verifikohen për të pikasur lëvizjet që janë kryer pak para shpërthimit.
Këto dy ngjarje të ndodhura në zemër të Shkodres kanë tronditur banorët përreth dhe vënë në pikëpyetje edhe njëherë tjetër sigurinë publike në këtë qytet.
Për policinë provat e administruara do të shërbejnë për t’ju bashkëngjitur dosjes së dorezuar në prokurori. Tashmë dy institucionet kanë barrën e zbardhjes së ketyre dy shpërthimeve.


