Berisha merr PD me ligj, Kajsiu: Vendimi, atentat kundër rinovimit të partisë dhe rikthim në berishizëm

Politologu, Blendi Kajsiu, e konsideron një atentat kundër rinovimit të Partisë Demokratike vendimin e sotëm të Gjykatës së Tiranës, e cila i mundësoi Sali Berishës kthimin në krye të kësaj partie.

Në një intervistë për Rtv Ora me gazetaren Beti Njuma, Kajsiu kriza në PD është ende larg zgjidhjes dhe vendimi i sotëm nuk kontribuon në këtë drejtim.

Kajsiu: Kriza është ende larg zgjidhjes, vendimi aktual nuk mendoj se kontribuon shumë ndaj zgjidhjes së kësaj krize. Është një fitore për Sali Berishën dhe lëvizjen e drejtuar prej tij por është një humbje për PD, mundësinë e rinovimit të saj dhe demokracinë shqiptare në përgjithësi. Ndonëse beteja ligjore ende nuk ka përfunduar, akoma janë në gjykatë palët, ky vendim i jep një fitore zotit Berisha dhe mundëson ose legjitimon rikthimin e tij në krye të PD duke e vulosur këtë parti si pronë të tij. Në këtë aspekt është një vendim që i ngjan një atentati kundër rinovimit të kësaj partie.

Në momentin që PD po shkëputej gjithnjë e më tepër nga berishizmi, në momentin kur dorëheqja e zotit Basha krijon një standard demokratik, kur për herë të parë në këtë parti grupi parlamentar nuk është më një zgjatim i kryetarit, ka debate reale, fraksione, mendime dhe debat real, PD mund të rikthehet përsëri në filozofinë berishiste që është një parti pronë e kryetarit, një parti ku interesi i kryetarit dhe i partisë janë identik, një parti ku grupi parlamentar është një zgjatim i kryetarit dhe për më tepër një parti me një kryetar të shpallur non grata në konflikt me faktorët dhe aktorët ndërkombëtarë. Është një vendim që e kthen mbrapsh procesin e rinovimit të PD dhe pa rinovimin e kësaj partie është e vështirë të flasësh për rinovimin e skenës tonë politike në përgjithësi.