Ekstradohet nga Italia i dyshuari si autori i vrasjes së dy vëllezërve Hasho në Vlorë, 24 vite në kërkim

Bëhet fjalë për vrasjen e Beqir dhe Elmaz Hasho dhe vrasja ka ndodhur më 22 nëntor 1998 në lagjen “Pavarësia”, Vlorë.

47 vjeçari, i identifikuar me inicialet G.S edhe ai banues në Vlorë ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, në bazë të vendimit penal të datës 09.02.2021, të Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, e cila i ka caktuar këtij shtetasi masën e sigurisë "Arrest në burg", për veprat penale "Vrasja me paramendim" dhe "Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve dhe i municionit luftarak".

Rrethanat e ngjarjes:

Në vitin 1998, në lagjen “Pavarësia”, Vlorë, shtetasi G. S., dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri vëllezërit B. H. dhe E. H., të cilët për pasojë kanë humbur jetën.

Pas ekstradimit në Shqipëri, Specialistët e Hetimit të Krimit në DVP Vlorë  bënë ekzekutimin e urdhrit të prokurorit, në zbatim të vendimit penal për masën e sigurisë, dhënë nga Gjykata e Shkallës së Parë Vlorë, më datën 09.02.2021.

Policia arriti të zbardhë dhe shpallë në kërkim Selimaj në shkurt të 2021

Si ndodhi vrasja?

Në vitin 1998 një i afërm i Gerti Selimajt mbeti i plagosur në Vlorë, në rrethana që mbeten ende enigmatike. Dy vëllezërit Hasho, Beqir dhe Elmaz Hasho, e dërguan në spital.

Gerti Selimaj, i cili ishte dhe i afërm i të plagosurit i kërkoi llogari vëllezërve mbi një armë që ishte zhdukur nga vendngjarja. Mes tyre ndodhi edhe një përplasje fizike në spital. Ky konflikt pak ditë më vonë, agravoi me vrasjen e 2 vëllezërve Hasho në vitin 1998 në lagjen “Pavarësia”.