Me vlerë 8 mln euro, çifti i policëve u infiltrua si blerës i veprave të artit, si ra në kurth Artan Koçia

Ora News mëson si u zbulua “muzeu” në shtëpinë e Artan Koçia, ku u gjetën 4 mijë vepra arti që mendohet të kapin vlerën e 8 milionë euro.

Mësohet se një çift policësh të Drejtorisë së Tiranës, u autorizuan nga prokuroria e Tiranës, për të kryer veprime me qëllim blerjen e një pikture tek shtetasi në hetim, Artan Koçiu.

Pas bisedës në kafe për çmimin dhe origjinën e tyre diskutimi ka vijuar në banesë ku policët kanë parë dhe objektet që  që dyshohet se do të trafikoheshin.

Pikërisht ky ka qenë moment kur efektivët kanë dokumentuar situatën e më pas kanë vazhduar me  operacionin e sekuestrimit.

Kush është Artan Koçia?

Koleksionisti Artan Koçia, 61 vjeç, i arrestuar nga policia e Tiranës gjatë aksionit kundër vjedhjes dhe trafikimit të veprave të artit, nuk është një person i panjohur për policinë.

Në vitin 2014 ai është dënuar me 1 vit e katër muaj heqje lirie, pikërisht për veprat penale për të cilat ka rënë në pranga edhe në aksionin e fundit.

Sipas burimeve të Ora News, 61 vjeçari, banues në rrugën "Ali Demi", njihet si një mjeshtër i punimeve artistike të drurit dhe i restaurimit të objekteve të vjetra si mobiljet dekorative dhe veprat e artit.

Duke qenë se prej vitesh Artan Koçia merret me këtë aktivitet të prodhimit dhe restaurimit të objekteve artistike e dekorative të drurit, ai mban në banesën e tij sasi të mëdha nga këto materiale. Sipas burimeve të policisë, mësohet se 61-vjeçari restauron shpesh objekte të vjetra e të rralla me porosi të politikanëve dhe koleksionuesve të ndryshëm.

Pikërisht për shkak të sasisë së madhe të objekteve që mban në banesë, 61-vjeçari u arrestua edhe në vitin 2013. Vetëm pak ditë pasi policia kishte prangosur koleksionistin e njohur Gjergji Thimo dhe kishte reklamuar në media “arsenalin e rrallë” të objekteve që ishin sekuestruar, një qytetar telefonoi në policinë e Tiranës.