“Zdrukthëtari i politikanëve”, Kush është Artan Koçia, koleksionisti që iu gjeten në apartament 4 mijë vepra arti

61 vjeçari i arrestuar me më shumë se 4 mijë ikona dhe vepra arti në banesë në Tiranë është një koleksionist dhe përpunues i njohur i këtyre objekteve. Ai shpesh merrte porosi nga politikanë për restaurimin e objekteve të vjetra. Në vitin 2014 ai u dënua me 1 vit e 4 muaj burg për trafik veprash arti. Denoncimi ndaj tij në polici u bë pak javë pas arrestimit të koleksionistit të njohur Gjergji Thimo në vitin 2013.

Koleksionisti Artan Koçia, 61 vjeç, i arrestuar nga policia e Tiranës gjatë aksionit kundër vjedhjes dhe trafikimit të veprave të artit, nuk është një person i panjohur për policinë.

Në vitin 2014 ai është dënuar me 1 vit e katër muaj heqje lirie, pikërisht për veprat penale për të cilat ka rënë në pranga edhe në aksionin e fundit.

Sipas burimeve të Ora News, 61 vjeçari, banues në rrugën "Ali Demi", njihet si një mjeshtër i punimeve artistike të drurit dhe i restaurimit të objekteve të vjetra si mobiljet dekorative dhe veprat e artit.

Duke qenë se prej vitesh Artan Koçia merret me këtë aktivitet të prodhimit dhe restaurimit të objekteve artistike e dekorative të drurit, ai mban në banesën e tij sasi të mëdha nga këto materiale. Sipas burimeve të policisë, mësohet se 61-vjeçari restauron shpesh objekte të vjetra e të rralla me porosi të politikanëve dhe koleksionuesve të ndryshëm.

Pikërisht për shkak të sasisë së madhe të objekteve që mban në banesë, 61-vjeçari u arrestua edhe në vitin 2013. Vetëm pak ditë pasi policia kishte prangosur koleksionistin e njohur Gjergji Thimo dhe kishte reklamuar në media “arsenalin e rrallë” të objekteve që ishin sekuestruar, një qytetar telefonoi në policinë e Tiranës.

Ai denoncoi se edhe pranë banesës së tij në zonën "Ali Demi", një qytetar kishte në banesën e tij një sasi të madhe ikonash e veprash arti të vjetra. Policia shkoi në banesën e Artan Koçisë ku gjeti 70 ikona të cilat u sekuestruan. 

Për këtë çështje në vitin 2014 zdrukthëtari u dënua me 1 vit e katër muaj burg të cilat i kreu dhe më pas rifitoi lirinë. Pas daljes nga burgu duket se 61-vjeçari ka vijuar sërish aktivitetin e tij por kësaj here duke grumbulluar në banesë një numër shumë më të madh ikonash e objektesh një pjesë e të cilave dyshohet se i përkasin personave të tretë që kishin kërkuar restaurimin e tyre.