Situata në PD, Gështenja: Jemi në krizë, palët të bëjnë një hap pas dhe të gjejnë zgjidhje. Përçarja i shërben Ramës

Deputeti i PD, Lefter Gështenja ka folur për situatën brenda forcës së tij politike.

Në një intervistë për Ora Neës, me gazetaren Siklajda Shorja, Gështenja shprehet se PD është në një krizë dhe se gjithë palët duhet të bëjnë një hap pas, në mënyrë që situata e tensionuar brenda partisë të zgjidhet.

Lefter Gështenja: 6 marsi ishte e pritshme  për situatën në të cilën ndodhej PD. Ne sot jemi në një krizë të thellë gjë për të cilën janë mbledhur organet drejtuese siç është kryesia, grupi parlamentar. Duhet një hap pas në mënyrë urgjente nga të gjithë, përfshirë edhe lidershipin e PD që është Lulzim Basha. Duhet të gjendet një zgjidhje në parti që të ecim më tutje. Të ulen palët të ulen grupet dhe të gjejmë mënyrën se si do dalim nga kjo situatë.

Ai tha se situata në të cilën ndodhet PD i intereson vetëm Edi Ramës dhe asnjë personi tjetër në PD, madje as Lulzim Bashës dhe Sali Berishës.

Gështnja shprehet se  palët në PD duhet të ulen dhe të diskutojnë mënyrën se si të dalin nga kriza.

Lefter Gështenja: Jemi në një situatë që nuk i intereson asnjë deputeti as dy aktorëve kryesorë, as Berishës as Bashës. I vetmi njeri që i intereson sot në Shqipëripërçarja e PD është Edi Rama. Për hir të demokratëve kam kërkuar me insistim që të veprohet shpejt në mënyrë që të gjejmë një zgjidhje. Për aq kohë sa Basha, Berisha Rama janë ulur në tavolinë për marrëveshje si ajo e 2008 apo 2017, janë ulur me kundërshtarin tonë politik, absolutisht që duhet të gjejmë brenda vetes forcë që të ulemi në tavolinë me demokratë dhe të diskutojmë për mënyrën se si duhet të dalim nga kjo krizë që është PD.

Përgatiti Anila Kolgjini.