Festivali i Kuskusit, kuzhinierët libianë përgatisin ushqimin popullor në një pjatë gjigante

Festivali i Kuskusit, pjatës popullore në të gjithë Afrikën e Veriut, ka bërë bashkë libianët, në një qytet pranë Tripolit. 15 kuzhinierët më të mirë libianë përgatitën një pjatë gjigante me 2500 kg kuskus, për të festuar traditën e ushqimit të paraardhësve të tyre.

130 kilometra nga kryeqyteti libian, Tripoli, është mbajtur Festivali i Kuskusit, pjatës tradicionale në të gjithë Afrikën e Veriut. 15 shefat më të mirë të kuzhinës libiane përgatitën një pjatë të madhe kuskusi në qytetin Qasr al Hajj me synimin për të bërë bashkë njerëzit nga e gjithë zona.

 “Këto zona janë të famshme për pjatën e tyre kuskus, është një ushqim popullor, shumë i vjetër që përgatitej edhe nga paraardhësit tanë”, Abdulla Jumaa al-Saghir, mësues në universitetin Zintan.

"Qëllimi i përgatitjes së kësaj pjate është të bashkojë libianët, t'i lidhë ata me njëri-tjetrin."

Kuzhinierët përdorën 2500 kg kuskus në një pjatë të vetme gjigante. Festivali u shoqërua edhe me një ekspozitë shpjeguese të llojeve të kuskusit libian, stinëve të tyre dhe rajoneve të famshme për pjatën.

"Ky festival përfaqëson origjinalitetin, dashurinë dhe lidhjen farefisnore që mund të gjenden në këtë rajon dhe në të gjitha pjesët e Libisë. Shpresojmë që ky festival të jetë i përvitshëm dhe të marrin pjesë libianë nga i gjithë vendi, për të provuar këto pjata që na bashkojnë" , tha  72-vjeçari, Huwaidi Khalifa al-Shawish, pensionist

Aktivitete të tjera kulturore shoqëruan festivalin e kuskusit, duke përfshirë një shfaqje të kuajve, një ekspozitë të industrive tradicionale të rajonit, një shfaqje kërcimi dhe piktura artistike nga Trupa Malouf.