Shkodra "minierë" talentesh, përfundon festivali i Teatrit mes shkollave të mesme të qytetit

Teksa qyteti ishte përfshirë nga ethet elektorale, teatri Migjeni në Shkodër gumëzhinte nga të rinjtë. Për rreth një javë aty u mbajt festivali i teatrit mes shkollave të mesme duke zbuluar talente të reja të skenës.

Ndërsa Shkodra ishte në ethet elektorale për kryetarin e ri të bashkisë, në teatrin “Migjeni” për një javë, nga 1 marsi u mbajt festivali i teatrove të shkollave të mesme.

Salla e tejmbushur e këtij institucioni të artit e kulturës, gumëzhinte nga të rinjtë, që me talentin e tyre ngjitën në skenë ciklin e shfaqjeve “Koliqiana” të Ernest Koliqit.

Gara mes 6 shkollave të mesme, u mbyll duke shpallur fituesit, por ajo që më së shumti synon të fitojë Shkodra përmes këtij festivali, janë talentet e reja.

"Kjo më bën të gëzohem pamasë sepse teatri Migjeni i mbushur me këtë lloj spektatori shkon në nder të Shkodrës", tha  Rita Gjeka, Drejtoreshe e teatrit “Migjeni”

"Aktorja më e mirë" e këtij festivali u shpall nxënësja e shkollës "28 Nentori", Evis Muriqi, aktori më i mirë, Mikea Çarkaxhia i shkollës artistike "Prenkë Jakova" dhe Sinan Gjorretaj nxënës i shkollës " Shejnaze Juka."

Ndërsa shkolla “Jordan Misja” zuri vendin e parë.

"Absolutisht ishte një ndjesi e mrekullueshme të merrnim pjesë dhe të arrinim të fitonim pas një pune vërtet të vështirë."

Jo vetëm një publik i ri i fituar, por edhe talente të reja që premtojnë për të ardhmen e teatri.