Arti në zi, ndahet nga jeta këngëtari i njohur durrsak, Qemal Kërtusha

Këngëtari i njohur durrsak, Qemal Kërtusha ka ndërruar jetë në moshën 90-vjeçare.

Mësohet se Kërtusha ka ndërruar jetë si pasojë e hemoragjisë cerebrale.

Kush është Qemal Kërtusha

Qemal Kërtusha ka lindur më 27 tetor të vitit 1931. Përfshihet në lëvizjen amatore artistike të qytetit që në vitin 1946. Në vitin 1948 mori pjesë në  filarmoninë shqiptare në Tiranë. Në vitin 1951 pjesëtar i ansamblit të ushtrisë. Pasi kreu shkollën e mesme në vendlindje, në periudhën 1951 – 53 studio për kanto me padagoge Artisten e Popullit Marie Kraja. Kthehet në qytetin e lindjes dhe inkuadrohet si aktor në teatrin “Aleksandër Moisiu”.

Me krijimin e estradës profesioniste kaloi si këngëtar profesionist dhe dha shfaqje në të gjitha skenat e vendit. Me një zë krejt të veçantë dhe me mundësi të pakufizuara vokale, diapazoni i tij u shtri nga muzika popullore, muzika e lehtë, romancat, kënga partizane, kantata e deri tek ajo më e vështira, opera.

Në vitin 1962 u bë pjesëmarrës i festivalit të parë të këngës në Radio, ku u nderua me çmime për të tria këngët; “Fëmija i parë”, “Vashëzo” dhe “Mos më qorto”. Më pas vijon me çmimet e fituara në 17 festivale rresht. Në vitin 1963 ai u përgatit dhe dha me sukses të parin koncert recital me këngë nga festivalet e muzikës së lehtë. Në vitin 1968 mori pjesë në operan “Bijtë e Skëndërbeut”.

Duke parë vlerat e mëdha artistike dhe njerëzore të tij, në vitin 1968 i akordohet titulli “Artist i Merituar”. Është fitues i medaljeve të arta në takimet e estradave si në Tiranë, Peshkopi e Shkodër. Të bujshme kanë qenë koncertet e tij në Kosovë, Maqedoni dhe Mal të Zi, ku është pritur mjaft ngrohtësisht nga vëllezërit tanë të një gjaku.

Në repertorin e tij numërohen mbi 1000 këngë të kënduara nëpër skenat tona, apo të incizuara në Radio Tirana. Në vitin 2008 i është akorduar titulli “Qytetar Nderi” i Durrësit.

Mosha ecën, por Kërtusha ka mbetur i ri me zërin e tij brilant teksa i këndon me shumë dashuri e admirim qytetit të Durrësit. Në videon më poshtë, në intervistën e fundit të Kërtushës dhënë për “DurrësLajm” në janar të këtij viti, teksa së bashku me bashkëshorten Merjeme Kërtusha i gjetëm të strehuar në hotel pas tërmetit, pasi pallati i tyre doli i pabanueshëm; mes pikëllimit që ndodhej, artisti preku zemrat e mbarë durrsakëve teksa i këndonte sërish me lot në sy Durrësit të tij.