Putin: Zhvillime 'pozitive' nga bisedimet Ukrainë-Rusi

Ka pasur zhvillime "pozitive" nga negociatat në vazhdim mes zyrtarëve rusë dhe atyre ukrainas, sipas Presidentit Vladimir Putin.

"Ka disa ndryshime pozitive, pasi negociatorët nga ana jonë më kanë informuar", i tha Putin udhëheqësit bjellorus Alexander Lukashenko, një aleat kryesor rus, gjatë një takimi në Moskë.

Ka pasur tre raunde negociatash midis ekipeve negociuese të dy palëve në kufirin Ukrainë-Bjellorusi, dhe të enjten, 10 mars  ministrat e jashtëm ukrainas dhe rus u takuan për bisedime në Turqi.

Megjithatë deri më tani nuk ka pasur rezultate konkrete nga bisedimet.

Putin foli edhe për çështjen e sanksioneve kundër Rusisë duke sugjeruar se ato mund të kenë një efekt pozitiv në vend.

"Kjo kohë është një mundësi për të ecur drejt sovranitetit tonë ekonomik dhe teknologjik", tha ai, raporton BBC.