Pushon "bilbili" i Durrësit: Kur shuhet Dielli, Hëna e humbet ndriçimin!

Mjeshtri dhe bilbili i këngës durrsake, Qemal Kërtusha është ndarë nga jeta në moshën 90 vjeçare. Artisti mbylli sytë këtë të mërkurë në qytetin të cilit iu fal me këngë dhe ku cilësohet ikonë.

Qemal Kërtusha, këngëtari korife i muzikës qytetare durrsake u nda nga jeta në moshën 90 vjeçare në qytetin të cilit i këndoi dhe ku cilësohet ikonë.

"Kur shuhet dielli, Hëna e humbet ndriçimin. Durrësi humbet shumë nga shkëlqimi i vet nga ikja e atij njeriu, atij artisti të madh me një zë brilant që e ruajti deri në fund."

Zëri i veçantë i dha mundësinë që në repertorin të përfshinte muzikën popullore, atë të lehtë e deri tek Opera.

Në mesin e viteve 60, Qemal Kërtusha arriti kulmin e suksesit ndërsa gjatë karrierës së gjatë arriti mbi 1000 këngë të kënduara në skenë apo të regjistruara.

"Nëse do përmendim emrin e Qemalit kemi përmendur Durrësin, nëse përmendim këngët e Qemalit kemi përmendur detin, Sshqipërinë."

Përshëndetjen e fundit artistike me bashkëqytetarët që e vlerësuan gjithë jetën Qemal Kërtusha e bëri në prill 2020 gjatë kohës së karantinës.

"Një nga legjendat e këngës durrsake dhe artit durrsak. Me emrin e Qemal Kërtushës lidhen shumë këngë që kanë fituar të drejtën e qytetarisë prej dekadash në kujtesën e dëgjuesit durrsak."  

Qemal Kërtusha ka lindur më 27 tetor të vitit 1931 dhe mbante titujt “Artist i Merituar” dhe qytetar nderi i Durrësit.

Homazhet në nder të artistit do mbahen të Enjten në Teatrin Aleksandër Moisiu.