Mbretëresha e veshur me kostum lunxheriot

Kostumi lunxheriot, i njohur si një ndër kostumet e para tradicionale shqiptare, krijuar rreth 2000 vite më parë, është veshur nga mbretëresha Antigona, gruaja e parë e mbretit Pirro. Stavri Dhima në kuvendin e katërt kombëtar të trashëgimisë kulturore, theksoi rëndësinë e njohjes dhe ruajtjes së kësaj krahine.

Antigona, gruaja e parë e mbretit të Epirit, i njohur si Pirro i Epirit kur është martuar, ka veshur kostum lunxheriot.

Lunxhëria është një krahinë fiziko-gjeografike dhe etnografike në rrethin e Gjirokastrës, një zonë e lënë në harresë edhe pse gjetjet e shumta arkeologjike, sidomos qyteti antik i Antigonesë, i njohur si qyteti i ndërtuar nga dashuria e Pirros për Antigonën, dëshmojnë se Lunxheria ka qenë e populluar që në kohët e lashta.

Këto fakte u risollën në vëmendje nga Stavri Dhima, anëtar i kryesisë së shoqatës Lunxheria duke theksuar rëndësinë e njohjes dhe ruajtjes së kësaj krahine, për vlerat e trashëgimisë kulturore që ajo mbart.

“Lunxheria ka qenë dhe është një krahinë liberale në kuptimin kulturor. Ajo ka qenë dhe është një krahinë këmbëngulëse për ruajtjen e historisë së kulturës dhe trashigimisë së saj."- tha Dhima. 

Në ditën e tretë të Kuvendit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore, të zhvilluar nga Akademia Rrënjët Tona, u mbajtën 66 referate të cilat dëshmojnë lashtësinë e popullit shqiptar si pjesë e trungut pellazg-ilir-epiro-arbnor-shqiptar.

Ruajtja dhe përcjellja e kësaj trashëgimie është detyrë e çdo shqiptari, për të mbajtur gjallë kulturën e këtij vendi.