Armani mesazh për Ukrainën, shfaqja e modës në heshtje në shenjë solidariteti me popullin ukrainas
Edhe bota e modës është solidarizuar me popullin ukrainas që po përballet pej 5 ditësh me agresionin rus. Në shfaqjen që çeli javën e modës në Milano, stilisti Giorgio Armani, në shenjë respekti, nuk vendosi muzikë. Modelet sfiluan në pasarelë në heshtje të plotë teksa prezantuan koleksionin vjeshtë-dimër 2022.
Në shenjë solidariteti dhe respekti për popullin ukrainas, Giorgio Armani e zhvilloi në heshtje shfaqjen e tij të modës në Milano.
Modelet dolën në pasarelë në një qetësi të frikshme, teksa herë pas herë dëgjoheshin duartrokitjet e publikut.
Krijimet që mbizotëruan ishin xhaketa të shkurtra në nuanca pastel, fustane të zinj dhe argjendi me shkëlqim dhe tegela.
“Vendimi im për të mos vendosur asnjë muzikë vjen një shenjë respekti ndaj njerëzve të përfshirë në tragjedinë e Ukrainës”, shkruhej në një postim mbi një bander të zi, në llogarinë e stilistit në Twitter.
“Gjëja më e mirë që mund të bëjmë është të dërgojmë një mesazh që nuk duam të festojmë sepse diçka shumë shqetësuese po ndodh rreth nesh”, tha dizenjatori 87-vjeçar, i prekur nga lufta që po ndodh në Kiev.
Si modelet meshkuj ashtu edhe ato femra kishin veshur pallto, xhaketa dhe pantallona të zeza prej kadifeje për koleksionin vjeshtë-dimër 2022, ndonjëherë me ngjyrime blu ose të kuqe.
U prezantuan gjithashtu fustane mbrëmjeje mëndafshi blu elektrike dhe bluza pa mëngë, bluza të qëndisura, tuta të gjata të bardha dhe printime me lule.
Modelet nga linja kryesore e Armanit tradicionalisht hapin siparin e javës së modës në Milano, e cila këtë sezon priti kryesisht shfaqje në pasarelë dhe jo prezantime dixhitale, duke përfshirë shtëpitë prestigjioze si Prada, Gucci dhe Dolce & Gabbana.

