Qëllonin me kallashnikov në ajër, arrestohen 2 adoleshentë në Durrës, procedohet një i mitur
Policia e Durrësit ka arrestuar 2 adoleshentë të cilët dispononin armë zjarri dhe qëllonin në ajër duke prishur rendin dhe qetësinë. Gjithashtu u bë procedimi penal i 16-vjeçarit që dispononte pistoletën sportive.
Policia e Durrësit në bashkëpunim me forcat “Shqiponja” dhe ato operacionale kishin njoftim se në Katund, Sukth, tre adoleshentë qëllonin me armë në ajër duke prishur rendin dhe qetësinë.
Në kuadër të operacionit "Sukthi" u bë arrestimi i K. B., 17 vjeç dhe G. P., 18 vjeç, të dy banues në Katund, Sukth, Durrës, si dhe u procedua penalisht një 16-vjeçar.
"Gjatë operacionit, forcat policore kanë ndërhyrë me profesionalizëm, pasi njëri prej adoleshentëve, shtetasi K. B. kishte me vete armën e zjarrit kallashikov, me të cilën këta shtetas qëllonin në ajër," informon policia.
Shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit të banesave, kanë gjetur dhe sekuestruar edhe një armë sportive pistoletë dhe një shkop metalik.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale "Mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit" dhe "Prishja e rendit dhe e qetësisë publike" në ngarkim të dy shtetasve të arrestuar dhe "Mbajtja pa leje e armëve sportive" në ngarkim të shtetasit të proceduar.
