Itali/ Kokainë dhe 30 mijë euro mes detergjenteve, arrestohet 45-vjeçari shqiptar, ja hedh fajin patriotit

Një 45-vjeçar shqiptar së bashku me pronaren e një lavanderie janë arrestuar në Itali  pasi në vendin ku ata punonin, janë gjetur kokainë e 30 mijë euro cash.

Operacioni i policisë u zhvillua 2 ditë më parë, 2 shkurt në Rimini.

Oficerët e policisë bashkiake kishin nuhatur prej kohësh drogë brenda lavanderisë dhe gjatë kontrollit gjetën rreth 60 gram kokainë dhe një shumë të madhe parash cash, rreth 30 mijë euro.

Gjithashtu policia gjeti mjetet e nevojshme për paketimin e drogës (makinë prerëse, peshore precize dhe makinë vakum që përdoret për përgatitjen e dozave).

Kontrollet çuan në arrestimin e një gruaje nga Rimini, pronare e biznesit dhe një 45-vjeçari shqiptar, shkruajnë mediet italiane.

Ditën e djeshme shqiptari doli para Gjykatës.

I mbrojtur nga avokati Xhuliano Renzi, 45-vjeçari pretendon se gjetjet e Policisë i kishte fshehur  për llogari të një bashkëkombësi të kthyer në Shqipëri dhe ka deklaruar se nuk merret me trafik droge. 

Pronarja e lavanderisë, e mbrojtur nga avokati Stefano Caroli, mohoi çdo lloj përfshirje, duke pretenduar se nuk ishte plotësisht në dijeni.