Dy policë të burgut të Peqinit "në dispozicion" të Arben Grorit. Njëri çaktivizonte përgjuesit tjetri i jepte informata. Detaje nga Dosja "Trinomi"

Operacioni “Trinomi” zbuloi dhe emrat e 6 të dënuarve mes tyre dhe me burg përjetë të cilët kishin arritur të krijonin lidhjet me punonjës policie në burgun ku ata vuanin dënimin.

Një prej tyre ishte Arben Grori, i dënuar me burg për jetë vuan dënimin në burgun e Peqinit.

Nga dosja e operacionit të koduar "Trinomi" që çoi në arrestimin e 26 personave dhe të siguruar nga Ora News mësohet se një punonjës policie në Institucionin e Ekzekutimeve të Vendimeve Penale Peqin i jepte informata Arben Grorit për kontrollin e dhomave.

Gjithashtu "Arben Grori mbante celular dhe me telefonin e tij flisnin dhe persona të tjerë të cilët ishi të dënuar dhe vuanin dënimin në të njëjtin sector të Peqinit" thuhet në dosjen e siguruar nga Ora News.

Ndërkohë një tjetër punonjës policie (R.D) sipas prokurorisë "komunikonte me Arben Grorin dhe familjarët e tij dhe më pas kryente kontrollin e automjeteve që këta të fundit kanë në përdorim me qëllim çaktivizimin e pajisjeve përgjuese dhe vëzhguese duke përdorur mjetet e punës"

Po kështu Arben Grori nga burgu i Peqinit komunikonte me telefon celular me të dënuarin Aleksandër Llanaj i cili vuan dënimin në burgun e Drenovës në Korçë.

Po kush është Arben Grori?

Arben Grori, është dënuar me burgim të përjetshëm në vitin 1999 nga Gjykata e Pestë Penale e Milanos në Itali, vendim që u njoh dhe u la në fuqi më pas dhe nga Gjykata e apelit, po në Milano. Grori u gjet fajtor për vrasjen e Zyberit, në një spital në Milano, ku ndodhej i shtruar. Grori e bënte fajtor Naim Zyberin për vrasjen e të vëllait, Artur Grori. Vendimi i fajësisë dhënë nga drejtësia italiane ndaj Grorit, është njohur më pas nga gjykatat shqiptare dhe prej shumë vitesh, ai ndodhet prapa hekurave.

Te denuarit e implikuar ne kete dosje

1 - Aleksandër Llanaj, 31 vjeç, banues në Vlorë, i cili është i ndaluar për vepër tjetër penale në Institucionin e Paraburgimit “Jordan Misja” 313 Tiranë, në regjimin e posaçëm 41 Bis, i dyshuar në procedimin penal konkret për veprën penale “Futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve me burgim” dhe “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojrave të fatit në kundërshtim me ligjin”;

2 - Delin Hajdari, 31 vjeç, banues në Vlorë, i cili është i ndaluar për vepër tjetër penale në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale Drenovë/Korçë, i dyshuar për veprën penale “Futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve me burgim” dhe “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojrave të fatit në kundërshtim me ligjin”;

3- Leo Osmani, 28 vjeç, banues në Vlorë, i dënuar më parë, i cili është i ndaluar për vepër tjetër penale në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale Drenovë/Korçë, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve me burgim” dhe “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojrave të fatit në kundërshtim me ligjin”;

4-  Gazmir Braka, 50 vjeç, banues në Vlorë, i dënuar më parë, i cili është i ndaluar për vepër tjetër penale në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale Peqin, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve me burgim”;

5- Aleksandër Sinanaj, 35 vjeç, banues në Vlorë, i dënuar më parë, i cili është i ndaluar për vepër tjetër penale në institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale Peqin, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve me burgim”;

6-  Arben Grori, 51 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë, i cili është i ndaluar për vepër tjetër penale në institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale Peqin, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve me burgim”

Shënim: Materiali mbërriti në redaksi nga gazetarja Keti Banushi, u përgatit nga redaksia online