"Anëtarët do ta nxjerrin butësisht nga zyra e PD-së", Berisha: Nuk i takon deputetit Basha
Komisioni i Rithemelimit të PD-së i ka lënë si datë të fundit 5 janarin Lulzim Bashës për të dalë nga zyra e PD. Berisha u shpreh se nëse Basha nuk largohet nga selia do të organizohet një protestë paqësore sepse ajo zyrë nuk është e një deputeti, por e atij që do të zgjedhin anëtarët e PD-së për drejtimin e saj.
“Nëse Basha nuk largohet nga zyra brenda 5 janarit, do të ketë një protestë paqësore. Ai po mban selinë, kështu që paqësisht, përmbaruesi anëtarësi do ta nxjerrë nga zyra. Anëtarësia do i tregojë se ajo zyrë nuk është e një deputeti, por e atij që do të zgjedhin anëtarët e PD-së për drejtimin e saj. Deputeti Basha do të largohet nga zyra dhe kaq është historia”, theksoi Berisha.
Berisha risolli dhe njëherë në vëmendje datën 18, ku sipas tij në seli ndodheshin njerëz të armatosur të RENEAS dhe Gardës. Lideri historik i demokratëve tha se nëse Basha nuk i bindet vullnetit të 4400 anëtarëve, ata butësisht do ta nxjerrin nga zyra.
“Ne do të bëjmë protestë absolutisht paqësore. Natyrisht, siç e panë mediet, ai kishte futur banditë të armatosur në seli, në datën 18. Ky ishte një akt shumë i rëndë, nga më të pashembulltit në historinë e një force politike demokratike. Mediet i kanë faktuar këto me emra dhe fotografi. Uroj që të ketë nxjerr mësim nga akti i tij i turpshëm dhe t’i nënshtrohet verdiktit të 4400 anëtarëve të PD-së. Përndryshe, ata butësisht do ta nxjerrin nga zyra”, shtoi Berisha në A2CNN.
