Soko: Të dhënat e publikuara të ripunuara, të përdorura për zgjedhje, të dalin ata që e kanë urdhëruar

I ftuar në RTV Ora, eksperti i ekonomisë Pano Soko u shpreh se të pasurit e një skandali nëpër këmbë nuk është më gjë e re, duke pasur një inflacion skandalesh.

Sipas tij, dokument i qarkulluar në publik është i ripunuar dhe një interes të tillë e ka pasur vetëm partia në pushtet për qëllime zgjedhore.

Soko: Të pasurit e një skandali nëpër këmbë nuk është më gjë e re, duke pasur një inflacion skandalesh. Me shumë kuriozitet ndodh që kur nuk ka skandale duhet sikur nuk punon qeveria. Dokumentet që kanë dalë janë të ripunuar. Ideja është që janë marrë listat dhe të dhënat nga Tatimet dhe AKSH-i, e targat. Le të themi se këtu ka pasur një punë që është ndërtuar një dokument. Nuk është një dokument bruto, që do të thonin se dikush e ka nxjerrë. Kujt i intereson që t’i punojë të dhënat e 690 mijë personave.

Ne kemi të dhënat e gati 700 mijë shqiptarëve që mund të përdoren vetëm për politikë dhe pjesë së zgjedhjeve. Pra ka pasur një punë më parë. Zhurma për këtë dokument janë dëgjuar qysh më herët para zgjedhjeve. Ky ka qenë një plan i hartuar dhe tashmë ka rrjedhur. Çështja nuk është se kush e nxori, por çështja është se kush e prodhoi këtë dokument të ripunuar.

Soko shtoi se shqetësues është fakti se pse duhet të porositet dhe pse duhet të vihet në funksion një gjë e tillë në raport me garën elektorale.

Soko: Sot shumë njerëz dhe kompani po vuajnë nga kjo dalje në publike. Mua më shqetëson pse duhet të porositet dhe pse duhet të vihet në funksion një gjë e tillë në raport me garën elektorale. Kryesorët në këtë çështje duhet të dalin ata që e kanë urdhëruar përgatitjen e këtij dokumenti. Në të tilla rastesh funksionon me koka turku, ashtu sikurse po ndodh me rastin e incineratorëve. Edhe në këtë rast mund të kemi 2-3 specialistë që do të tregohen me gisht dhe do të thuhet se këta janë fajtorët.