Buxhuku: Kriza energjitike e sajuar për rritje çmimi, kemi mbiprodhim, duhet të përfitonim nga situata
Në një intervistë për RTV Ora, kreu i Konfindustrias, Gjergj Buxhuku u shpreh se Shqipëria nuk është në krizë energjitike.
Sipas tij, viti 2021 ka qenë ndër vitet më të mira të prodhimit të energjisë elektrike dhe se jo vetëm nuk duhet të flitet për krizë, por duhet të kishte përfituar nga kjo situatë.
Buxhuku: Shqipëria nuk është në krizë energjitike. Kjo është e qartë. Gjatë gjithë vitin nuk duhet të ishte dhe nuk duhet të diskutohej kriza energjitike, pasi sistemi varet nga prodhimi me ujë. Ky vit ka qenë ndër vitet më të larta për prodhim energjia elektrike. Brenda 9 muajve të para kemi prodhuar 20% energji më shumë se sa viti 2020. Ne nuk duhet të kemi asnjë krizë energjia, por duhet të përfitonim nga problematikat e furnizimit me energji nga vendet e tjera sepse e prodhojnë nga gazi dhe fosilet.
Ne jemi në vështirësi pasi ka një keqmanaxhim të rezerva ujore të kaskadës së Drinit nga KESH. Gjatë viti 2021 nuk duhet ta ndjente fare emrin krizë, por duhet të kishim epërsi konkurrimi me vendet e tjera. Ne këto 3 muaj kemi pasur reshje dhe janë rimbushur kaskadat. Nuk shoh që të kemi një krizë energjitike për shkak të motit apo bursave ndërkombëtare, pro mund të vijë vetëm nëse do të kemi një keqmenaxhim nga KESH.
Buxhuku shtoi se qeveria ka pasur ndërmend që ta rrisë çmimin e energjisë për bizneset, edhe nën presionin e uljes së kaskadës dhe mbushjes së të ardhurave në buxhet, paraqiti atë situatë krize.
Buxhuku: Shqipëria nuk duhet të ketë fare krizë energjitike, edhe pse ekziston dyshimi se kjo krizë është e sajuar. Nëse do të kishim menaxhuar prodhimin e vitit2021, pa ato shitjet deri në kriminale që kemi bërë në verë, Shqipëria do të kishte një vit më të mirë se sa vitet normale. Siç duket qeveria ka pasur ndërmend që ta rrisë çmimin e energjisë për bizneset, edhe nën presionin e uljes së kaskadës dhe mbushjes së të ardhurave në buxhet, paraqiti atë situatë krize. Prodhimi është rritur dhe konsumi ka rënë.

