Editorial i Drejt - A është policia që duam?

Ndërsa viti 2021 në ikjen e vet pret të kalojë edhe ditët e fundit e ne të gjithë jemi në pritje të festës së ndrrimit të moteve, punonjësit e Policisë së Shtetit janë e do të vazhdojnë të jenë si gjithnjë e si në çdo ditë të vitit në krye të detyrës, për të garantuar rendin dhe sigurinë publike, në mbrojtje të jetës tonë.

Ata të gjithë, fisnikërisht dhe me përkushtim kanë zgjdhur të shërbejnë në detyrën e vështirë nën uniformën e Policisë së Shtetit, ndaj në këtë fundviti urimi dhe mirënjohja shkon për ta, me nderimin për sakrificat e mëdha, për vendosmërinë në zbatim të ligjit dhe në shërbimin ndaj qytetarëve.

Rendi dhe siguria publike është një e drejtë pa të cilën jo vetëm që nuk kanë kuptim, por që qëndron në themel të të gjitha të drejtave të tjera publike dhe individuale, të proklamuara në instrumenta ndërkombëtarë dhe në legjislacionin e brendshëm të secilit vend demokratik.

Në këtë kontekst, policia si një shërbim publik në shërbim të publikut, ka një rol të pazëvendësueshëm.

Parë me këtë sy, natyrshëm lind pyetja: a është policia që kemi, policia që duam?

Pa krijuar ndonjë keqkuptim me sensin e pyetjes, duhet ta themi që policinë e duam. E duam dhe e respektojmë për sakrificat sublime që ka bërë dhe bën në përditshmërinë e vet.

E duam dhe e mbështesim, e inkurajojmë dhe përkrahim pa asnjë rezervë e mëdyshje në punën që bën.

Ndaj, nëse themi se e duam, duam që edhe ajo të na dojë e të jetë policia që duam.

Në marrëdhënien mes qytetarit dhe policit e anasjelltas është vetëm një rregullator; ligji.

Korrektesa, paanësia, transparenca dhe profesionalizmi në zbatimin e ligjit krijon, rrit dhe forcon besimin e qytetarit tek polici.

Korpusi i akteve ligjorë dhe nënligjorë në Shqipëri, e ka përcaktuar policinë si shërbim civil apo thënë më shqip si shërbim qytetar, me mision mbrojtjen e të drejtave dhe interesave të publikut, të të gjithë publikut pa asnjë përjashtim, pa dallim etnie apo bindjeje politike, besimi fetar e seksi, niveli social, prejardhjes krahinore apo nivelit kulturor.

Nëse policia është forcë, ajo është një forcë e njerëzishme, thelbi i së cilës qëndron në misionin humanist për të mbrojtur viktimën potenciale nga agresori eventual.

Dhe që ajo të përmbushë këtë mision të lartë, kushti i parë dhe fondamental është besimi i publikut.

Shoqëria, publiku i ka deleguar policisë monopolin e përdorimit të forcës vetëm në interes të tyre dhe në atë masë sa për të mbrojtur të drejtat e tyre. Përdorimi i forcës në bazë të doktrinës së forcës minimale, absolutisht të domosdoshme dhe proporcionale, përbën një nga kriteret që mund të ndërtojë ose të gërryejë e rrënojë besimin publik.

Çdo abuzim dhe tejkalim i forcës parë jo vetëm në aspektin fizik por dhe në atë moral, çon në dhunë dhe delegjitimon veprimin policor.

Policia e Shtetit duhet të shndërrohet në krenarinë tonë. Çdo qytetar shqiptar dhe çdo qytetar i huaj që vjen në Shqipëri, duhet të gjejë tek polici shqiptar përfaqësuesin dinjitoz, të kulturuar dhe me integritet, duke filluar që me uniformën e paraqitjen e tij të jashtme dhe deri tek etika dhe kultura e komunikimit, sepse nuk ka simbol më të drejtpërdrejtë se uniforma që të jep mundësinë e leximit të shtetit, dhe nuk ka profesion më të plotë se polici që të imponon gjykim për institucionin.