Pas referendumit/ Berisha nga selia PD: 44 mije demokratë ndëshkuan peng Bashën. I padenjë për detyrën. Protesta masive

Ishte ora 20:50 minuta e 18 dhjetorit 2021 kur Sali Berisha i rrethuar nga mbështetës shpalli në oborrin e selisë blu rezultatin e referendumit për shkarkimin e Lulzim Bashës nga posti i kryetarit të PD-së.

Prej orës 08:00 të mëngjesit në të gjithë qytetet e Shqipërisë u hapën qendrat e votimit për ratifikimin e vendimit nr 6 të Kuvendit kombëtar të 11 dhjetorit 2021. 

Sali Berisha: "Përulem me nderimin më të madh para dhjetra mijëra, më saktë 44 mijë demokratëve që sot vendosën me votën e tyre në mënyrën më të plebeshitare largimin e peng-Bashës. Largimi i Lul Bravës. Ky është ndëshkimi më i merituar për një person i padenjë për detyrë. Një njeriu që detyrën më të lartë të kreut të opozitës e shfrytëzon për pazare personale dhe e trajton PD si një pronë të tij." 

"Jo Basha ik por Brava ik!" u tha Berisha mbështetësve të cilët sfiduan të ftohtin e dimrit dhe të mbledhur në oborrin e selisë PD hera herës thërrisnin me ovacione "Basha ik!"

 Demokratët në dy kampe

Referendumi, ku ishte thirrur e gjithë anëtarësia e PD-së, u mbajt nga ora 08:00 - 20:00 në ambiente private pasi selitë PD në qytete nuk u lejuan të viheshin në dispozicion të këtij procesi.

Ndërkohë kampi tjetër i demokratëve drejtuar nga Basha dhe këshilli Kombëtar ishin mbledhur në Pallatin e Kongreseve për të thirrur Kuvendin Kombëtar të 18 dhjetorit 2021 me anë të të cilit shpallte nul referendumin dhe vendimet e kuvendit të 11 dhjetorit. Gjithashtu Kuvendi do të përjashtonte nga kupola drejtuese antiamerikanët dhe ish komunistët.

Mbrëmja në PD 

Mbrëmja i mblodhi në selinë blu.

Në katin e dytë Basha ishte grumbulluar me kryesinë në sallën e mbledhjeve menjëherë pas përfundimit të Kuvendit Kombëtar. Jashtë sallës, në katin e dytë dritat ishin fikur.
Lart në tarracën e selisë qëndronin një grup personash të paidentifikuar.

Ndërsa në oborr krah Berishës, Albana Vokshi e emëruar si kryetarja e Komisioni e Organizimit të Kontrollit dhe Operacioneve Elektorale lexonte rezultatet e referendumit.

Basha fatin e Ramiz Alisë

Berisha nënvizoi rezultatin në njësinë 8 në Tiranë e njohur dhe si zona e Lulzim Bashës në zgjedhje por që në këtë referendum pati fatin e Ramiz Alisë.

“Në 1991 kjo lagje, ndër më demokratiket i rezervoi diktatorit të fundit komunist disfatën turpëruese. Pas 30 vitesh, po kjo lagje i rezervon Lulzim Bravës të njëjtin fat. Me një dallim që diktatori komunist nuk kishte lindur në atë lagje, por Lulzim Brava ka lindur aty. E denatyralizuan! Ky quhet denatyralizim që i bënë banorët e Tiranës” tha Berisha.

Levozhga ime

Komentoi dhe "mea culpen" e Bashës i cili bëri përgjegjës veten për lejimin e dualitetit në parti dhe hijëzimit te tij nga Berisha.

Sali Berisha: Tezën se ai ka qenë lëvozhga ime është histori e turpshme por që një njeri të jetojë në dublicitet është i tjetërsuar. Nuk mund të kem asgjë përveçse përçmim për një deklaratë të tillë. I votuar nga anëtarësia e partisë me votë të përgjithshme dhe thotë se unë edhe isha dhe s'isha lider. Por kur nuk u bëre 8 vjet ike tani, nuk bëhesh më as për 80 vjet thuaji Bashës.

Thirrja per deputetët e Bashës

Kuvendin Kombëtar të mbledhur në Pallatin e Kongreseve e quan "antikuvend të shoqatës dhe u bën thirrje deputetëve demokratë që mbështesin Bashën të reflektojnë dhe të marrin përgjegjësinë për detyrën e tyre.

Sali Berisha: Në qershor Lulzim Brava u votua nga 32 mijë anëtarë, ndërsa sot kundër tij kanë votuar si njerëz të lirë, si demokratë të lirë, rreth 44 mijë anëtarë të PD-së. Kjo dëshmon se deputeti Basha ka humbur çdolloj besimi dhe është gjykuar ashpër në Referendumin e thirrur nga anëtarësia. Këtu është e tërë anëtarësia e PD-së. Mos besoni numrat se në statistikat e tyre, ju them në mënyrë absolute nuk ka asgjë të saktë. E patë sot se çfarë ndodhi me antikuvendin e shoqatës së tyre. Meqënëse numrin ja u kapën mediat dhe e panë sa ishin vendosën të falsifikojnë përmes zyrës së pengmarrësit Edi Rama numrin e karrigeve në Pallatin e Kongreseve dhe publikuan shifra të paimagjinueshme. Asgjë të saktë nuk kanë në statitikën e tyre, por revolucioni po saktëson gjithçka, ndaj dhe ftoj çdo deputet të vijë dhe të marrë listën e plotë të anëtarësisë që ka votuar dhe të votave në mënyrë që të ballafaqojë veten me përgjegjësitë që ka ai ndaj këtyre votuesve.

Gardistët në tarracë e revolucioni

Nga selia PD, Berisha i çoi mesazh Edi Ramës se nuk mund të ndalë revolucionin dhe as ta mposhtë. Duke e quajtur pengmarrësin  e Bashës, Berisha tha se Rama ka keqpërdorur gardistët duke i dërguar në selinë PD për të mbrojtur Bashën.

Sali Berisha: "Ky është votimi më i shkëlqyer që shkruan një kapitull të ri në historinë e revolucionit demokratik. Ky revolucion nuk ka të ndalur dhe nuk ka forcë në botë që e ndal. Jeni dëshmitarë të përpjekjeve të turpshme të narkoshtetit kundër këtij akti madhor por asgjë nuk pengon dot njerëzit e lirë në arritjen e objektivave të tyre për liri e dinjitet."

I them Edi Ramës që i ka mbushur tarracën me gardistë dhe RENEA. Ata nuk paguhen për ruajtur Lul Bravën por për të ruajtur qetësinë. I them lëri lojërat mos luaj me pluralizmin politik. Është arritja më e madhe e shqiptarëve. Jemi gati të përballemi me çdo pengesë, nuk ka asnjë synim patjetër, veç t’u rikthejë shqiptarëve votën e lirë. 

Protesta e parë

Të hënën është thirrja e parë për protestë masive kundër vizitës së presidentit serb Aleksandër Vuçiç. Mbledhja e demokratëve do të nisë nga selia PD.

Sali Berisha: Ditën e hënë në orën 16:00 të mblidhemi para kryeministrisë në protestën e parë kombëtare të shpallur. Rrethanat e bënë të domosdoshme, Sllobodani  i ri do të pritet ashtu siç e meriton me protesta pasi vjen këtu në kuadrin e një projekti të aleancë të Beogradit me dy vasalët e tij në rajon. Kjo aleancë është kërcënim kombëtar për shqiptarët, është kërcënim për paqen dhe stabilitetin, është aleancë për vendosjen e hegjemonisë serbe në këtë rajon dhe hapje ndaj influencës ruse mbi këtë zonë.

Hajduti i dobishem

Protestat do të vijojnë edhe kundra asaj që e quan qeveria e "narkoshtetit", afera e incineratorëve.

Sali Berisha: E hëna do të jetë ditë proteste,  por çështja e dytë madhore është megakorrupsioni të cilin SPAK i partisë kërkon t'i vërë kapak me 3 milion euro të vjedhura nga hajduti i dobishëm Lefter Koka. E përdori grupi i strukturuar kriminal për të vjedhur sa donte vetë. Me 3 milion euro nuk mbyllet dot kurrë një aferë 430 milionë. Shqiptarët do kërkojnë llogari gjer më një për këtë dhe afera të tjera.

Protestat do të vijojnë paralelisht me ristrukturimin e partisë, që e quajti një çështje urgjente

Sali Berisha: Protesta kombëtarë dhe më pas kemi një periudhë të ristrukturimit të partisë sepse këtu ka nevojë urgjente ristrukturimi.

Por si do kthehet në zyrë kur Basha qëndron gjithmonë atje?

Pyetjes së gazetares Sali Berisha iu përgjigj: Pse do hyjë në grevë urie? Ai të shkojë në lagjen 8 të pyesë pse u denatyralizua nga lagja e po të dojë të rrijë deputet i PD-së. Gara në parti do të jetë e hapur por natyrisht për këtë shekull i ka larë duart me garën.