"Në Kuvend ishin 5004 delegatë", Alibeaj: Çdo gjë ishte transparente, lista është publike
Enkelejd Alibeaj rrëfeu për Ora News se çfarë prodhoi Kuvendi i mbajtur sot, 18 dhjetor në Pallatin e Kongreseve.
Në studion e Ora News, me gazetarin Everest Dedaj Alibeaj tha se ky Kuvend prodhoi maturinë.
Alibeaj: Kuvendi tregoi se vendimi që mori Basha me sakrificë më 9 shtator është i përqafuar edhe nga pjesa tjetër e strukturës së PD-së. U futëm në këtë vorbull edhe për shkak të lojës së shëmtuar që lëvizja "Foltorja" ka bërë.
Në Kuvendin e sotëm u deklaruan 5004 delegatë të PD. Kjo shkaktoi polemika, pasi Pallati i Kongreseve ka një kapacitet për 2100 vendesh. Alibeaj tha se çdokush ka të drejtë të jetë skeptik.
Alibeaj: Është detyrim i PD-së për këdo, media ose jo të bëjë transparencën totale të gjithë procedurës nga fillimi deri në fund. Kjo ka ndodhur në fakt sepse është e ndarë në faza. Disa ditë më parë zëdhënësja e PD-së ka ndenjur 3 orë duke lexuar të gjithë emrat e delegatëve. Lista është publike, edhe sot, edhe nesër, kushdo ka të drejtën që t'i kontestojë këto. Deri tani unë nuk kam parë kërkesa të tilla zyrtare. Edhe kjo e sotmja, ju e patë procesin e identifikimit të demokratëve, me 15 komisione, çdo gjë ishte me lista përkatëse. Nesër do të jetë një detyrim i joni për të bërë transparencën e plotë me listë të gjithë delegatëve.
Alibeaj shtoi se sfida e vetme e PD është përballja dhëmb për dhëmb me Edi Ramën.
