Bashkia prish tregun e romëve: Po na heqin bukën e gojës, jemi në mes të rrugës
Dhjetëra forca të policisë bashkiake rrethuan tregun në zonën e pallatit me shigjeta ku së bashku me IKMT shembën disa tezga në të cilat tregtarët prej kohësh shisnin materiale të ndryshme. Ata thonë se në këtë zonë kanë ngritur edhe banesat tyre të cilat tani rrezikojnë nga shembja.
"Banesat janë me tapi, rrezikojnë që t'i prishi edhe shtëpitë."
"Mirë që erdhën për tregun, por po na thonë edhe për shtëpitë, ku të shkojmë në mes të katër rrugëve? A mendon qeveria se çfarë do bëjmë? Jemi me fëmijë të vegjël."
"Do marrim çadrat, kartonat e do flemë në rrugë, nuk kemi ku të shkojmë."
Tregtarët denoncojnë se zgjidhja që bashkia u ka ofruar nuk mjafton pasi nuk kanë hapësira për mallin.
Po ashtu ata thonë se tezgat janë vendosur në një zonë të pafavorshme çka u shkakton humbje.
"Ai vendi që i ka bërë atje është 1 metër, unë nuk do shes domate, do shes lecka të përdorura. Duhet ta bënte e pakta pesë metra vend. Është problemi që ai e ka çuar tregun mes pallateve."
Tregtarët thonë se nga bashkia e Tiranës presin një zgjidhje pasi kanë dorëzuar disa herë kërkesa zyrtare por nuk kanë gjetur asnjë marrëveshje bashkëpunimi.
