Referendumi për shkarkimin e Bashës, dhjetëra demokratë votuan jashtë selive të partisë

Nëpër lokale e pallate të sporteve, kinema e në oborre, dhjetëra demokratë iu drejtuan të shtunën kutive të votimit duke zgjedhur pro ose kundër shkarkimit të Lulzim Bashës. Referendumi i thirrur nga Grupi i Rithemelimit të PD është mbizotëruar nga një përçarje e thellë mes demokratëve ndërsa gjatë gjithë ditës nuk u shënuan incidente domethënëse në asnjë prej 106 qendrave të votimit në vend.

Dhjetëra anëtarë të Parisë Demokratike iu drejtuan kutive të votimit të shtunën për të votuar në Referendumin e thirrur nga Grupi i Rthemelimit të PD për të shkarkuar Lulzim Bashën nga posti i kryetarit.

106 Qendra të Votimit u hapën në të 12 qarqet ndërsa shumica e tyre nuk ndodheshin në seli të partisë, për shkak se PD zyrtare nuk e njeh këtë referendum dhe refuzoi që të vinte në dispozicion të grupimit që mbështeti Berishën zyrat e tyre.

Në Fier është shënuar një incident, ku përfaqësues të grupimit të Rithemelimit, thanë se ata janë nxjerrë dhunshëm nga policia në Njësinë Administrative në Cerkan ku ishte qendra e votimit.

"U dha leja, vazhduan procesin e votimit, deri në orën 11 ishte një proces shumë i rregullt votimi. Në orën 11 pas disa telefonatave që bëhen mes kryetarit të bashkisë dhe ku di unë kujt tjetër, policia vjen dhe i nxjerr dhunshëm nga ambientet ku kryhej votimi," tha Baçi.

Kjo deklaratë e Luan Baçit u mohua nga Policia e Shtetit e cila në një njoftim të sajin tha se Strukturat e Policisë së Shtetit janë tërësisht të papërfshira dhe neutrale në këtë situatë.

Nga ana tjetër në Delvinë, policia bashkiake ka nxjerrë jashtë mjediseve të kinoteatrit komisionin e votimit për referendumin me gjithë bazën materiale.

Votimi vijoi normalisht jashtë ambienteve të Kinoteatrrit ku fillimisht ishte caktuar qendra e votimit.

Incidente u shënuan edhe në Tiranë. Në degën numër 1, mbështetësit e ish-kryeministrit Berisha denoncuan mbështetësit e Lulzim Bashës pasi në shkallët e selisë së partisë kishin hedhur vaj me qëllim që ata të rrëshqisnin.

Nga Shkodra duke deklaruar votën e saj Kundër Lulzim Bashës, kryetarja e Bashkisë Volatana Ademi votoi duke u bazuar në listën e vjetër të anëtarësisë së PD pasi emri I saj mungonte në listën e re.

"Unë sot kam votuar, kam ratifikuar vendimin e Kuvendit të datës 11 ku kam qenë pjesë. Unë kam votuar për shkarkim," tha Ademi.

Të revoltuar për situatën në Partinë Demokratike mbështetës të saj në Elbasan e Korçë grisën kartat e anëtarësisë dhe hodhën akuza ndaj Lulzim Bashës.

Përçarja e thellë në Partinë Demokratike u vërejt në pothuajse çdo degë të saj në Shqipëri, ndërsa mbështetësit u ndanë në dy grupime të mëdha, Pro ish-kryeministrit Sali Beisha, dhe pro kryetarit të Partisë Lulzim Basha.