Denoncimi i Llangozit çon në “gijotinën” e KPA-së drejtuesin e prokurorisë, Julian Çafka

Denoncimi i Llangozit çon në “gijotinën” e
Julian Çafka

Komisioneri Publik, ka vendosur të Apelojë vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, që konfirmonte në detyrë, Drejtuesin e Prokurorisë së Gjirokastrës, prokurorin Julian Çafka.

Vendimi për Apelimin është marrë dy ditë më parë, ndërsa komisioneri tashmë, ka bërë publike shkaqet dhe situatën se pse ka apeluar në KPA, subjektin e rivlerësimit, Julian Çafka.

Çafka tashmë do përballet me një sërë denoncimesh të ardhura nga qytetarë dhe avokati Arben Llangozi, ku me këtë të fundit duket se kanë një luftë personale, për shkak të kallëzimit penal që Llangozi ka depozituar në SPAK, kundër Çafkës për akuzën e korrupsionit.

“…konstatohet se pretendimi i denoncuesit, bazohet në argumentet e përdorura nga Gjykata, kur referon faktin se Prokuroria Gjirokastër nuk ka regjistruar emrin e personit, të cilit i atribuohet vepra penale e parashikuar nga neni 248, “Shpërdorimi i detyrës”, i Kodit Penal, por ka përdorur, gjatë hetimeve për identifikimin e subjektit, termin e përgjithshëm: Bashkia Gjirokastër, duke shmangur eventualisht zbatimin ligjit procedurial…” konstaton Ballhysa.

Sipas një denoncimi tjetër të depozituar nga Arben Llangozi, një qytetar nga Gjirokastra, ka paraqitur një kallëzim në Prokurorinë Gjirokastër, ku ndër të tjera, ka parashtruar se: ”…bashkia Gjirokastër, nëpërmjet falsifikimit dhe duke shpërdoruar detyrën, ka arritur të miratojë kontraktimet e marrjes me qira të një prone private dhe më pas tenderimin e ndërtimit të tregut industrial, duke shkelur çdo rregull urbanistik dhe duke kryer procedime tenderimi në mënyrë të dyshimtë. Bashkia Gjirokastër, ka anashkaluar qëllimisht hallka dhe procedura ligjore me qëllim përfitimi.

Ndërtimi i tregut është jashtë çdo standardi, si dhe ka ndërhyrje për të ndryshuar hartat dhe planvendosjet e pronave. Prokuroria Gjirokastër, pas regjistrimit të procedimit penal përkatës, në qershor 2017 ka kryer disa veprime hetimore, ndër të tjera, duke administruar praktika shkresore nga Bashkia Gjirokastër, Këshilli Bashkiak, Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Gjirokastër, akt-ekspertimin topografik, dhe akt-ekspertimin tekniko-vlerësues. Në përfundim të hetimeve, subjekti i rivlerësimit, Juljan Çafka, ka kërkuar pushimin e procedimit penal…”.