Tregtari denoncoi inspektorët e AKU-së tek Ulsi Manja: Kam 3 muaj në stres. Ende s'më kanë anuluar gjobën 4 mln lekë

Tregtari i fruta-perimeve, denoncimi i të cilit për një gjobë të padrejtë u përdor nga Ministri i Drejtësisë si tregues se denoncimi i korrupsionit në administratë po ndëshkohet, thotë se ende nuk ka gjetur qetësi. Edmond Metushi kërkon drejtësi dhe heqjen e gjobës 4 milionëshe për shkelje, që siç thotë, nuk ja bënë me dije kurrë.

"Nuk ka pranuar të japë ryshfet."

Edmond Metushi, është tregtari i gjobitur me 400 mijë lekë nga dy inspektorë të AKU, sipas denoncimit në SPAK nga Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja.

Ai tregon se ngjarja ka ndodhur në muajin shtator, kohë kur thotë se ishte shënjestër i gjoja kontrolleve.

"Ai më thoshte mua ik te ADISA, mbylle aktivitetin se të jap unë 1 mijë lekë të vjetra po nuk i pate dhe mbylle biznesin të shpëtosh ti, të shpëtojmë dhe ne. Zotëria i AKU-së ma tha, erdhëm 3 ditë resht te dera rrinin nga 2-3 orë," tha ai.

Tregtari me dyqan fruta-perimesh thotë se nuk e pranoi gjobën dhe pasi bëri ankimin e denoncoi edhe në njësinë e Antikorrupsionit.

Por edhe sot e kësaj ditë ajo mbetet në fuqi, ndaj Edmond Metushi kërkon anulimin për të shpëtuar nga stresi tre mujor nga presioni i inspektorëve.

"Nuk e kuptoj, këtë dua të gjej dhe unë. Këtë dua të marr vesh. Ai ka hedhur dhe firmën time te gjoba, gjasme e kam hedhur unë kur ai s'ka nxjerrë gjobë këtu te mua fare," tha Metushi.

Krahas denoncimit në SPAK, dy inspektorët e AKU në Fier Mirel Koci, 48 vjeç dhe Denisa Stamulliu, 33 vjeçe, janë vënë nën hetim nga Prokuroria e Fierit për akuzën e shpërdorimit të detyrës.