Rama i lutet publikisht Bullgarisë të heqë veton për Maqedoninë e Veriut: Na lini të flasim me BE
Kryeministri Edi Rama shfrytëzoi praninë e kryeministrit bullgar në forumin për të ardhmen e Europës që po mbahet në Slloveni për tui kërkuar publikisht heqjen e vetos ndaj Maqedonisë së Veriut për çeljen e bisedimeve me BE.
Apelin e shoqëroi me një lutje, që si Maqedonia dhe Shqipëria të kenë mundësi ta hedhin këtë hap dhe pastaj të vazhdojnë sërish me pengesat.
Edi Rama: Nëse do të çoheshin etërit themelues dhe do të ndiqnin këtë diskutim për të ardhmen e Europës mendoj se do të mendonin më mirë të ishin vdekur sesa gjallë. Nuk kam provë por po kthehen përmbys në varr. Çfarë e ardhme e Europës, për çfarë po debatojmë? Si puna e priftit në Kostandinopojë, kur po shembeshin muret e diskutonin seksin e engjëjve. Më falni që po tregohem kaq ballkanik. Por kjo është gjëja shumë e mirë e të qënit europian nga Ballkani se nuk e humbet asnjëherë ndjenjën e humorit dhe brenda tragjedisë. Të paktën këtu në Slloveni ne mund të marrim ca nga koha që nuk na e kanë dhënë në diskutime për të ardhmen e Europës për kaq gjatë. Ju lutemi mos përmendni më aktorët e tretë, faktorët e tretë sepse është shumë qesharake. Nga njëra anë na thuhet "na doni, mirë", nuk na thonë që ju duam dhe ne.
Na thoni që jeni të rëndësishëm për ne, ne një ditë do të martohemi me ju, por deri atëherë as nuk flasim dot bashkë por as mund t'u flisni të tjerëve. Natyrisht kjo kërkon të sprovojë dhe testojë besnikërinë tonë por nuk funksionon kështu. Askush nuk po vjen në vete, ne nuk po flasim të bëhemi anëtarë. Kur ne të bëhemi anëtarë, Macron që është më i riu, do të jetë duke shkruar kujtimet. Po flasim për çeljen e bisedimeve të anërtarësimit, bisedimet, vetëm bisedime. I kërkoj presidentit të Bullgarisë, ju lutemi, ju bullgarët mos jini tipik të BE, bëhuni ballkanas, hapni rrugën, hapni rrugën, çfarë po përpiqeni të shpëtoni, hapini rrugën bisedimeve, na lini të flasim me ta dhe pastaj ju mund të bëheni ballkanik dhe të dilni të bëni pengesa dhe të bllokoni.
Gjatë diskutimit të tij, Rama nuk kurseu dhe batutat për të përshkruar ritmin e ngadaltë me të cilin po ecën BE drejt zgjerimit.
Edi Rama: Më lejoni tu jap ca buzëqeshje në këtë atmosferë të zymtë. Në Ballkan ka diçka që duhet ta ruajmë fort, që ne mund të buzëqeshim dhe të qeshim edhe kur vuajmë çka pjesëtarët e BE nuk janë në gjendje ta bëjnë. E kam fjalën për gjermanët, po. Dikush ju afrua dhe takoi një euro-optimist dhe një euro-pesimist ditët e sotme dhe e pyeti euro-optimistin se cila ishte pikëpamja e tij për zgjerimin dhe i tha: Turqia do të hyjë në BE ose nën presidencën e Maqedonisë së Veriut ose të Shqipërisë. Pastaj euro-pesimisti u pyet dhe tha të dyja ato do të hyjnë në BE kur të ketë presidencën Turqia. Kështu që e kemi gjetur mënyrën për tu përballur me këtë mishërim të Samuel Beckettit përmes BE, BE është Samuel Becketti ynë, ne po presim Godonë, nuk e di kush Vladimiri dhe kush Ekstragoni unë apo Zorani por sigurisht Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria janë si këta dy karaktere në dramën e Beckettit ku njëri thotë "a do të ikim"dhe tjetri thotë "eja të ikim" dhe Becketti thotë "askush nuk lëviz nga vendi". E bukura e kësaj është se Becketti mund të shfaqet në BE përmes ngjyrave dhe kombeve të ndryshme dhe së fundmi është Bullgaria.
Por përkundër vonesave të BE, Rama tha se kjo nuk i demoralizon vendet e Ballkanit Perëndimor për të luftuar fort, teksa nënvizoi se nëse vazhdon në këtë rrugë do të jetë më keq për BE sesa vetë rajonin.

Rama: Por ne jemi këtu për të luftuar. Pse për të luftuar? Sepse ne nuk po kërkojmë licencë për të qenë europianë, ne jemi europianë. Çfarëdo të mendojnë njerëzit pjesë e BE, çfarëdo të thonë njerëzit në BE ne jemi europianë dhe sinqerisht jam shumë mirënjohës kryeministrit këtu dhe presidentit sepse më në fund në këtë diskutim për të ardhmen e Europës ne u ftuam.
Natyrisht është një takim anësor, nuk është kryesori, pasi është shumë dramatike dhe shumë qesharake që të shohësh BE të angazhohet në diskutime për Europën dhe ne nuk ftohemi. Së paku për mirësjellje të ndryshojnë emrin, "E ardhmja e BE", sepse "E ardhmja e Europës" ne jemi Europë dhe nuk ka asnjë të ardhme të Europës pa Ballkanin Perëndimor brenda BE. Nëse BE do të vazhdojë kështu natyrisht nuk do të jetë mirë për ne por do të jetë edhe më keq për BE. Kjo jo sepse po i jap Ballkanit Perëndimor të gjithë atë peshën me të cilën ne kemi parë njëri-tjetrin kur ishim të izoluar por sinqerisht po e them.
