Kreditë e borxhet barrë e rëndë për fermerët e Roskovecit: Nuk po i shlyejmë dot
Florenc Cjapi, ishte rikthyer tre vite më parë nga Greqia në fshatin e lindjes Suk 1 të Roskovecit dhe i ishte përkushtuar bujqësisë.
Me të ardhurat nga emigracioni, borxhe e kredi, siç tregojnë fqinjët kishte ngritur sera të cilat ndër vite nuk i kishin sjellë përfitimet e pritura.
"Serat i kishte të mbjella, por 1 serë atje i dështpi dhe e shkuli."
Në kushtet e gjendjes së rënduar psikologjike fermeri i dha fund jetës mëngjesin e sotëm.
"Me sa dëgjova ishte në depresion, kishte dhe borxhe."
Veç borxheve, fqinjët nuk dinë që 48 vjeçar dhe bashkëshortja të kishin probleme të tjera.
"Ai ka marrë kredi", thotë banori i fshatit.
Në Suk 1 të Roskovecit, banorët e sigurojnë jetesën kryesisht me bujqësi.
Bashkëshortët Zoga thonë se me para borxh mbollën rreth 4 dylym shalqi.
Por një pjesë e mirë e prodhimit po kalbet në fushë dhe shlyerja e borxhit do të jetë sfidë për ta.
"Mbollëm katër dylym bostan, nuk u shit."
Thonë se shkak për këtë situata u bë rënia e eksporteve.
"Nga Kosova, Maqedonia nuk ka pasur tërheqje. Dhe i tërë prodhimi mbetet në parcelë."
Në Myzeqe e më gjerë janë të shumtë fermerët që ankohen se nuk arritën të shesin prodhimet e të shlyejnë borxhet apo kreditë që morën për ti mbjellë!

