Pas Çomos, PS-së i ikën dhe Lefter Koka, nuk do të jetë deputet në Kuvendin e ri
Ditën që Presidenti dekretoi 10 shtatorin si ditën e konstituimit të Kuvendit të ri të dalë nga zgjedhjet e 25 prillit, deputeti i Partisë Socialiste Lefter Koka deklaron se nuk do të jetë pjesë e parlamentit. Lajmin e bën me dije përmes rrjeteve sociale, ku Koka thekson se është koha për të përmbyllur një cikël.
Pas Najada Çomos, një tjetër deputet i zgjedhur në siglën e PS në zgjedhjet e 25 prillit lë mandatin e deputetit.
Bëhet fjalë për Lefter Kokën, ish-deputeti i LSI që ju bashkua PS dhe që u zgjodh nga votuesit e Durrësit për të qenë deputet edhe një mandat tjetër.
Ndryshe nga Çomo, largimin e të cilës e njoftoi kryeministri Rama, Koka ka zgjedhur ta njoftojë vetë dorëheqjen me anë të një postimin në faqen e tij zyrtare në facebook.
Duke e konsideruar si përmbylljen e një cikli, Koka thotë se është koha që rrugëtimin e tij politi ta vijojnë mijëra bashkëpunëtorë të tij që e bënë fitues për vite me rradhë.
Ai thotë se për dorëheqjen ka njoftuar në rrugë zyrtare KQZ dhe Kuvendin e Shqipërisë.
Koka: 2 dekada më parë me përgjegjësi të lartë publike, mora përsipër të garoja për të qenë zëri qytetarëve durrsakë.
Në këtë rrugëtim plot sfida, suksese e padiskutim dhe dështime, pata fatin të dëshmoj fuqinë e besimit, si dhe dinjitetin e njerëzve që punojnë çdo ditë me ndershmëri dhe përkushtim për një të ardhme më të mirë.
Në morinë e sfidave me të cilat ky rrugëtim të përball është gjithmonë e vështirë të ndalesh një moment dhe të vlerësosh se kur është koha e duhur për të mbyllur një cikël.
Sot është dita që rrugëtimin tim politik, ta vijojnë ata mijëra bashkëpunëtorë të mitë, që më bënë fitues për vite me rradhë dhe që mbase nuk kam mundur asnjëherë t’i falenderoj sa duhet. Sot, e ardhmja u përket atyre!
Me këtë vendim timin, është njohur institucionalisht si Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ashtu edhe Kuvendi i Shqipërisë.
Së fundmi, mirënjohje të madhe për mundësinë , besimin dhe privilegjin e jashtëzakonshëm që më është dhënë t'i shërbej me përkushtim qytetit, vendit dhe njerëzve që dua!
Shqipëria është padyshim sot një vend më i mirë se dje, është vendi plot dritë shprese që na përket të gjithëve.
Tashmë KQZ do të marrë në shqyrtim listën e PS-së në Durrës për të vendosur se cilët nga emrat do të jetë në parlament.
Mandati i Lefter Kokës ndahet mes Denis Deliut që ka marrë 2848 vota dhe Ana Dhamos, e cila pavarësisht numrit më të vogël të votave preferenciale,mund të përfitojë mandatin për shkak të kriterit gjinor në listën shumëemërore të kandidatëve të PS-së.
Koka ka mbajtur detyrën e ministrit të Mjedisit në qeverinë socialiste, ndërsa ka qenë kryetar i PS të Durrësit në vitet 2003 deri në 2007.
Lefter Koka është deputeti i tretë i zgjedhur që heq dorë nga mandati i deputetit në harkun e pak ditëve.
Vendimit të tij i paraprinë Najada Çomo e PS dhe Mark Marku i PD-së.
Më i shpejtë në këtë drejtim u tregua Tom Doshi i PSD, i cili mori një rezultat surprizë në votimet e 25 prillit.
Në orët e para të mëngjesit të së hënës së 26 prillit, teksa numërimi i votave të 25 prillit kishte nisur, thuajse në të gjithë vendit, ai njoftoi se heq dorë nga mandati i deputetit.
Pas tij edhe Gramoz Ruçi në mbledhjen e Kongresit të jashtëzakonshëm për 30-vjetorin e themelimit të PS deklaroi dorëheqjen nga mandati i deputetit dhe largimin e tij nga politika.
